Ndërlidhjet

Uashingtoni thotë se 7 avionë bjellorusë kanë shkelur ligjet amerikane  


Një avion i kompanisë bjelloruse Belavia në një aeroport të Minskut. Fotografi nga arkivi.
Një avion i kompanisë bjelloruse Belavia në një aeroport të Minskut. Fotografi nga arkivi.

Departamenti amerikan i Tregtisë ka thënë se shtatë avionë Boeing 737, që operohen nga transportuesi kombëtar bjellorus Belavia, kanë shkelur kontrollet e eksporteve të SHBA-së.

Këta janë avionët e parë që janë identifikuar se kanë bërë shkelje, qëkur kufizimet ndaj Bjellorusisë u ashpërsuan javën e kaluar. Këto kufizime u vendosën në përgjigje të mbështetjes që Bjellorusia i ka ofruar pushtimit rus të Ukrainës.

Kontrollet e eksportit i pengojnë kompanitë në mbarë botën që të ofrojnë furnizime me karburant, mirëmbajtje, riparim apo pjesë rezervë dhe shërbime të tjera për avionët e identifikuar, duke i detyruar avionët që të aterrojnë menjëherë.

Byroja e Sigurisë së Industrisë në Departamentin amerikan të Tregtisë po ashtu ka thënë se 31 avionë dyshohet se kanë shkelur ligjet e SHBA-së.

Sipas SHBA-së, këta avionë kanë fluturuar për në Rusi apo Bjellorusi, në kundërshtim me rregulloret e eksportit, tha Departamenti i Tregtisë.

Në listën e avionëve që u nënshtrohen kufizimeve, që janë vendosur që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, tani janë 146 avionë me pronësi ose operim rus dhe shtatë avionë bjellorusë.

“Duke refuzuar ligjin ndërkombëtar, Rusia dhe Bjellorusia e kanë bërë të qartë se ato nuk meritojnë të kenë përfitime nga pjesëmarrja në ekonominë globale dhe këtu përfshihen edhe udhëtimet ndërkombëtare”, tha nënsekretari amerikan i Tregtisë, Don Graves.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG