Ndërlidhjet

Kongresisti amerikan i kërkon Bidenit ta ndihmojë Kosovën të anëtarësohet në NATO


Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë paradasë për 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë paradasë për 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati, Ritchie Torres, ka kërkuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.

Në një letër dërguar presidentit Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kongresisti Torres ka thënë se pas situatës së krijuar pas pushtimit rus të Ukrainës, duhet që Uashingtoni t’i ndihmojë Kosovës që të anëtarësohet në NATO.

“Duke marrë parasysh pushtimin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike. Është parësore për sigurinë evropiane që ne të vazhdojmë dhe të zgjerojmë partneritetin që kemi përmes NATO-s. Prandaj, si një prej aleateve më të fuqishme të SHBA-së, u bëjmë thirrje që të shtoni përpjekjet tuaja që të siguroheni që Kosova të pranohet në NATO si shtet anëtar”, thuhet në letër.

Ai ka përmendur sanksionet që Kosova ka vendosur ndaj Rusisë duke ndjekur shembullin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian dhe ka thënë se Prishtina zyrtare nuk është imune nga agresioni rus.

“Agresioni rus është po ashtu shqetësues për Kosovën dhe për shkak të raporteve veçse të tensionuara që ka me fqinjin e saj, Serbinë. Serbia vazhdon të largohet nga Perëndimi dhe të afrohet drejt idealeve ruse”, ka shkruar Torres.

Kongresisti Torres po ashtu ka përshëndetur hapat e ndërmarra nga Kosova, duke përmendur kërkesën e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, që Kosova t’i bashkohet aleancës ushtarake, por dhe vendimin e Kuvendit të Kosovës që Qeveria të nisë negociatat për anëtarësim në Aleancë.

“Ne pajtohemi me këto veprime. Përderisa Rusia vazhdon të sillet si një aktor joracional dhe Serbia forcon raportet me Rusinë, është kritike që të ndihmojmë aleaten tonë Kosovën që t’i bashkohet NATO-s. Ne situatën e sigurisë që po zhvillohet shpejt në Evropë, ne duhet të qëndrojmë përkrah aleates sonë Kosovës dhe të sigurohemi që ajo shpejt t’i bashkohet NATO-s si shtet anëtar”, thuhet në fund të letrës së kongresistit Torres.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt, liderët politikë në Kosovë kanë shprehur sërish qëllimin e tyre që Kosova të bëhet pjesë e Aleancës ushtarake.

Gjatë kësaj jave, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se e përkrah Kosovën të bëhet pjesë e NATO-s, teksa foli përkrah presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që ishte në vizitë zyrtare në Ankara.

Osmani disa herë ka potencuar se anëtarësimi në NATO është parakusht për paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 28 shkurt tha se nuk mund të vlerësojë për momentin se sa real është rreziku që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, por, sipas tij, situata “nuk është aspak naive”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG