Ndërlidhjet

Hill: Kërkojmë që sulmuesit e Banjskës të mbahen përgjegjës


Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill. Fotografi nga arkivi.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill. Fotografi nga arkivi.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se sa i përket aktakuzës të ngritur nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë, shteti i tij avokon që sulmuesit të mbahen përgjegjës.

Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara, sipas tij, është i njohur prej kohësh.

Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës kundër 45 personave, përfshirë edhe ndaj Millan Radoiçiqit, duke i akuzuar për pjesëmarrje në grupin e armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Autoritetet në Kosovë e cilësojnë sulmin si terrorist.

Aktakuza ende nuk është bërë publike dhe nuk dihet se kush janë personat e tjerë që janë akuzuar.

Një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar. Gjatë sulmit u vra polici Afrim Bunjaku, ndërkaq në këmbimet e zjarrit që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ai besohet se gjendet në Serbi.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, gjatë një konference në Prishtinë nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të udhëheqjes së Serbisë në sulm - gjë që, më herët, është potencuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pse ajo vetë e ka mohuar.

“Të gjitha përpjekjet të përqendrohen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”

Sa i përket raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Hill tha se të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialog sepse, sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet. Hill tha se këtë qëndrim e ka shprehur edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës që ai zhvilloi në Serbi më 10 shtator.

Pas takimit me Hillin dhe Lajçakun, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ai do të paraqesë kërkesat e Serbisë, për shkak të “sulmeve brutale dhe substanciale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.

Ai nuk specifikoi se për çfarë sulmesh bëhej fjalë.

Vuçiq tha se në 72 orët e ardhshme ai do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.

Mirosllav Lajçak, ndërkaq, ka deklaruar se gjatë takimit, Vuçiq ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me situatën e serbëve në Kosovë.

"Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog", shkroi në X emisari evropian.

Lajçak qëndroi në Beograd, por edhe një javë më parë edhe në Prishtinë, për të përgatitur rundin e ri të dialogut për normalizimin e raporteve. Pas vizitës në Prishtinë, ai deklaroi se është rënë dakord për një takim në nivel kryenegociatorësh, por nuk dha ndonjë datë për një takim në Bruksel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG