Pas më shumë se një muaji jashtë shkollës, një nxënëse me shami e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, është duke ndjekur mësimet, përkundër “protestave” të arsimtarëve, thotë drejtori i shkollës, Musa Nikçi, për Radion Evropa e Lirë.
Vajza me inicialet A.D. u privua nga shkolla qysh në fillim të vitit të ri shkollor, më 2 shtator, për shkak të një udhëzimi administrativ, që ndalon “bartjen e uniformës fetare në shkolla”, por nuk specifikon se çka nënkupton ajo uniformë.
Nikçi konfirmon se nxënësja u kthye pasi Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI) ia rekomandoi një gjë të tillë Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Pejës.
“Ajo [ministrja Arbërie Nagavci] është thirrur në një nen të Kushtetutës mbi lirinë e njeriut dhe lirinë e shkollimit. Por, e bën përjashtimin e udhëzimit”, thotë Nikçi.
Radio Evropa e Lirë provoi të kontaktonte ministren Nagavci, por pa sukses.
Për rastin e 18-vjeçares A.D., REL-i raportoi edhe më 25 shtator, kur shtjelloi polemikat e palëve të ndryshme për të drejtat e njeriut dhe rregullat.
As vajza, as familja e saj nuk iu përgjigjën kërkesave të REL-it për të ndarë rrëfimin e tyre.
Rikthimi i A.D. nuk kaloi pa reagime brenda gjimnazit.
Në shenjë proteste ndaj vendimit të MASHTI-t, mësimdhënësit nuk e zhvilluan procesin mësimor në dy orët e para në të dyja ndërrimet në një ditë pune, thotë Nikçi.
“E kanë parë që është shkelur Udhëzimi Administrativ dhe nuk janë zbatuar kompetencat e një shkolle”, thotë ai.
Por, sipas tij, rasti i A.D. nuk nënkupton që institucioni që ai drejton, e lejon bartjen e shamisë në shkollë.
Nikçi thotë se, nëse në të ardhmen do të ketë raste të ngjashme, ai sërish do ta zbatojë Udhëzimin Administrativ 6/2014 të MASHTI-t, i cili, siç pretendon ai, e ndalon bartjen e shamisë në shkolla.
Prokuroria Themelore në Pejë tha se është duke i vazhduar hetimet, për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve të gjimnazit.
“Në prokurori është intervistuar drejtori i gjimnazit ‘Bedri Pejani’. Ndërkaq, në polici, me autorizimin e prokurores së shtetit, janë intervistuar nxënësja dhe nëna e saj”, bëri të ditur zëdhënësi Shkodran Nikçi për Radion Evropa e Lirë.