Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor t’i përdorin më mirë takimet e tyre për të promovuar pajtim dhe stabilitet rajonal, pas një tubimi të liderëve të Serbisë dhe atyre të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, i cili nxiti kritika.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja beson se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është në Bashkimin Evropian, ku “bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore sigurojnë paqe, siguri dhe begati më të madhe për të gjithë”.
Të shtunën u mblodh një "kuvend gjithëserb” në Beograd, ku udhëheqës të Serbisë dhe të Republikës Sërpska, bënë thirrje për unitetin e serbëve në të gjithë rajonin.
Tubimi u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend - Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.
Në Deklaratën e tyre të përbashkët është përmendur edhe Kosova.
Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që “kuvendi gjithëserb” mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Të hënën, Ambasada amerikane në Sarajevë e cilësoi Deklaratën e përbashkët mes Serbisë dhe Republikës Sërpska si "të rrezikshme" dhe "sulm i qëllimshëm" ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe ndaj institucioneve të Bosnje e Hercegovinës.
Zëdhënësi i DASH-it tha se “siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht, ne e mbështesim fuqishëm sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnje e Hercegovinës, pjesë e së cilës është edhe Republika Sërpska”.
Veprimet dhe retorika e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për ndarjen e entitetit serb nga Bosnja, e rrezikojnë “të ardhmen demokratike dhe paqësore brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnje e Hercegovinës, përfshirë banorët e Republikës Sërpska, e dëshirojnë dhe e meritojnë”.