Ndërlidhjet

Serbia zgjedh Qeverinë e re


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (majtas) dhe kryeministri i ri Gjuro Macut.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (majtas) dhe kryeministri i ri Gjuro Macut.

Serbia e ka zgjedhur të mërkurën Qeverinë e re të vendit, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri i ri Gjuro Macut dhe do t’i ketë 30 ministra, prej të cilëve 10 janë emra të rinj.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re votuan 153 deputetë, ndërsa 46 deputetë votuan kundër në një seancë të Kuvendit të Serbisë të mërkurën.

Në fjalën e tij, Macut tha se Serbia është “e lodhur” nga përçarjet dhe protestat, dhe se duhet të punohet “për harmonizimin e shoqërisë, sepse harmonia mund të ndërtohet përmes dialogut, tolerancës, punës dhe ndërtimit të sistemit të vlerave”.

Ai tha se synimi i tij i parë do të jetë funksionimi normal i shkollave dhe fakulteteve, puna e të cilave është bllokuar prej muajsh për shkak të protestave të udhëhequra nga studentët.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka uruar qytetarët për zgjedhjen e Qeverisë së re, ndërsa kryeministrit të ri Macut dhe anëtarëve të kabinetit të tij u ka bërë thirrje “ta çlirojnë vendin nga terrori dhe ta kthejnë në rrugën e suksesit”.

Ndërkohë, Demo Berisha - kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve në Serbi – u emërua ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave.

Paraprakisht, kundër emërimit të tij kishte dalë përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

“Ky emërim nuk është vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm. Sepse Demo Berisha nuk është përfaqësues i të drejtave të njeriut, por simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës”, tha Kamberi në faqen e tij në Facebook të mërkurën.

Berisha është pjesëtar i Ushtrisë së Serbisë. Që nga viti 2023, ai është i punësuar në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave të Serbisë në pozitën e këshilltarit.

Kamberi theksoi se Berisha “nuk përfaqëson shqiptarët, por versionin e tij të instrumentalizuar për interesat politike serbe, si disa të tjerë në kohën e (presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan) Millosheviqit”.

Qeveria e deritanishme e Serbisë ishte në mandat teknik nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend verifikuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Vuçeviq dha dorëheqje pas rrahjes së një grupi studentësh nga aktivistët e Partisë Progresive Serbe që po bllokonin punën e fakulteteve në Novi Sad.

Rënia e Qeverisë së Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Vuçeviq, ndodhi në kulmin e protestave kundër pushtetit, të udhëhequra nga studentët që nga fundi i nëntorit 2024 po bllokojnë dhjetëra fakultete në gjithë Serbinë.

Në qendër të kërkesave të tyre, të adresuara ndaj institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG