Ndërlidhjet

Fushata pro-ruse në Serbi kundër vaksinave nga Perëndimi


Një punëtor shëndetësor në Beograd të Serbisë mban në duar një dozë të vaksinës ruse, Sputnik V.
Një punëtor shëndetësor në Beograd të Serbisë mban në duar një dozë të vaksinës ruse, Sputnik V.

“Vaksina ruse, kineze apo Pfizer/BioNTech?”

Kjo, ditëve të fundit, është dilema më e shpeshtë e qytetarëve të Serbisë, të cilët aktualisht kanë mundësi që të vendosin për njërën prej tre vaksinat kundër koronavirusit.

Pasi që Qeveria e Serbisë, më 11 janar, u ofroi qytetarëve të saj opsionin që përmes portalit “eUprava” të lajmërohen për vaksinim, çështja nëse duhet të vaksinohen me vaksinën ruse Sputnik V, me vaksinën kineze Sinopharm apo me vaksinën e prodhimit amerikano-gjerman Pfizer/BioNTech, ka nxituar një varg diskutimesh, veçanërisht në rrjetet sociale.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila është personi i parë i vaksinuar në Serbi, ka porositur qytetarët që zgjedhja e vaksinës nuk është e rëndësishme, në rast se ajo është e miratuar nga Agjencia për barna dhe pajisje mjekësore e Serbisë.

“Nuk e kam zgjedhur vaksinën. Vaksina e Pfizerit ka qenë e para që ka arritur në Serbi. Po të kishte qenë vaksinë kineze, do ta merrja atë. Po të ishte ruse, po ashtu do ta merrja atë”, ka sqaruar kryeministrja Bërnabiq, më 19 janar, në një konferencë për gazetarë.

Bërnabiq vaksinohet kundër koronavirusit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:45 0:00

Ajo i ka porositur qytetarët se vaksinën nuk duhet ta zgjedhin në bazë të kriterit “gjeopolitik”. Megjithatë, gjeopolitika duket se ka rëndësi, të paktën duke gjykuar nga postimet dhe komentet e përdoruesve të mediave sociale.

Dezinformimi rus

Në mënyrë globale, Bashkimi Evropian (BE) ka paralajmëruar për një fushatë dhe për dezinformimet pro-Kremlinit, të cilat përhapen qëllimisht në mënyrë që të minojnë besimin te vaksinat.

Në raportin e tij, “Ndërtimi i imunitetit ndaj dezinformimit” (Building immunity to disinformation), të botuar më 18 janar 2021, është potencuar lista me 60 dezinformime dhe teori të ndryshme të konspiracionit, që janë përhapur më së shpeshti me këtë qëllim, në forume dhe rrjete sociale. Disa prej tyre janë shumë të pranishëm edhe në Serbi.

“Operacioni ushtarak COVID-19”

Një nga dezinformimet më të shpeshta, nga lista e raportit të BE-së, është edhe ajo që flet për atë që pandemia dhe vaksinat kundër COVID-19, do të sjellin deri te dominimi i plotë “i shtetit të thellë të errët” (deep dark state).

Grupi në Facebook “Serbia ime, Rusia”, ka shpërndarë një video që zhvillon teorinë e konspiracionit pikërisht me përmbajtje të tillë.

Njëra nga teoritë konspirative që është shpërndarë në rrjetet sociale lidhur me ekzistimin e “shtetit të thellë” (deep state).
Njëra nga teoritë konspirative që është shpërndarë në rrjetet sociale lidhur me ekzistimin e “shtetit të thellë” (deep state).

Në vargun e pretendimeve në video, të bazuara në çfarëdo fakte, thuhet që në botë ekziston “operacioni ushtarak COVID-19”.

“Ky virus artificial është krijuar që të kryhen sulme masive ndaj njerëzimit, por se operacioni është parandaluar”, thuhet në video, në të cilën gjithashtu shtohet që një gjë e tillë është penguar “duke falënderuar shërbimin informativ ushtarak rus –GRU”.

GRU-ja, siç thonë, “i ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm logjistikës, përcjelljes dhe sigurimit të provave dhe njerëzve, të cilët kanë bashkëpunuar me shtetin e thellë”. Për bashkëpunim, akuzohen në një listë, politikanë, aktorë, familjet mbretërore dhe personalitete tjera publike nga Perëndimi.

Njëkohësisht, grupi ka promovuar në faqen e vet, mjekësinë ruse në luftë kundër pandemisë.

“Vetëm vaksina ruse është e mirë...”

Dominimi rus i pretenduar në gjetjen e vaksinës së parë efikase kundër koronavirusit, është edhe një dezinformatë, e cila pa baza shkencore shpërndahet në rrjetet sociale në Serbi, e për të cilën bëhet fjalë edhe në raportin e BE-së.

Në grupin e Facebook-ut “Lajmet ruse”, është shpërndarë një video me titullin: “Rusia dëshmoi dominim të plotë. Mediat botërore urgjentisht kanë transmetuar suksesin e epidemiologëve rusë”, në të cilin publikohet që “hulumtimet klinike kanë treguar suksesin” edhe të një vaksine ruse tjetër, të cilën e ka zhvilluar qendra shkencore “Çumakov”.

“...ndërkaq Pfizer është i keq”

Njëkohësisht, duke madhëruar të arriturat ruse, nëpër rrjete po përhapen dezinformata në lidhje me pasojat shkatërruese të të ashtuquajturave vaksina nga Perëndimi, para së gjithash, të kompanive Pfizer/BioNTech.

Përmes grupit të Facebook-ut “Serbia dhe Rusia Ortodoksia” është shpërndarë publikimi i një përdoruesi të Facebook-ut, i cili në gjuhën angleze ka shkruar: “Filloi: 12 raste me reaksione të efekteve anësore janë regjistruar në Serbi me vaksinën Pfizer”.

Njoftimi vazhdon me dy paragrafë të deklaratës së Pavlle Zeliqit nga Agjencia për barna dhe pajisjet mjekësore, të cilën ia ka dhënë Radio Televizionit të Serbisë, më 15 janar, ku ai thotë se që nga fillimi i vaksinimit janë regjistruar 12 raste me efekte anësore nga vaksina Pfizer/BioNtech.

Me vetëdije ose jo, është lënë jashtë pjesa e dytë e deklaratës së Zeliqit ku ka thënë se efektet anësore të përmendura nuk ishin të pazakonta, se nuk kishte “efekte anësore serioze”, por që ato manifestoheshin kryesisht përmes plogështisë, ngritjes së temperaturës dhe dhimbjes së kokës për disa ditë.

Ky postim, i marrë nga konteksti, është shpërndarë 424 herë në rrjetin social Facebook.

Për cilën vaksinë jeni?

Me diskutimin lidhur me atë se me cilën vaksinë do të mbrohen, përdoruesit e rrjeteve sociale në Serbi janë duke u marrë që nga fillimi i vaksinimit.

Duke postuar një sondazh të brendshëm me pyetjen: "A do të merrni vaksinën Pfizer kur të jetë në dispozicion për popullatën e përgjithshme?", përdoruesja e Twitter, @Mia276, mori më shumë se 2,300 përgjigje.

Dhe megjithëse shumica në përgjigjet ndaj këtij postimi thanë “po”, kishte shumë që e shpërndanë postimin e saj, me komentin: "Vetëm ruse", sikurse përdoruesi @Predrag09527086.

Të njëjtën zgjidhje e ka zgjedhur edhe përdoruesi i Twitter-it @milinkovic_ivan, i cili me një sondazh të ribotuar ka porositur: “Vetëm Sputnik V, vetëm ortodoksi e pastër”.

Se zgjedhja e vaksinës është bërë garë më vete, të paktën për ata që janë të orientuar për vaksinën e prodhuesit rus, dëshmon edhe shkrimi në Twitter i përdorueses @karataamm1, e cila nga llogaria e saj ka porositur: “Sapo u lajmërona përmes eUprava për vaksinim kundër COVID-19. E zgjodha Sputnikun V. Ja pra kështu”.

Lufta kundër dezinformatave

Ndonëse Twitter dhe Facebook tash e disa kohë po e zbatojnë parimin e verifikimit të fakteve në publikimet e përdoruesve të vet, duket se sasia e këtij informacioni i tejkalon mundësitë për të verifikuar të gjitha ato postime.

Si masë më radikale, këto dy rrjete sociale aplikuan gjithashtu heqjen e profileve dhe llogarive të individëve, grupeve ose faqeve të internetit.

Një shembull i tillë është edhe faqja e internetit pro- ruse nga Krimea, në gjuhën serbe, News Front. Profili i këtij portali mediatik në gjuhën serbe u mbyll nga Facebook-u në vitin 2020 për shkak të përhapjes së lajmeve të rreme.

News Front poston çdo ditë përmbajtje propaganduese ruse në lidhje me vaksinat. Dhjetëra tekste janë postuar me temën e promovimit të vaksinës ruse Stuptnik V. Në anën tjetër, kjo poston lajme pothuajse çdo ditë në lidhje me pasojat fatale të pretenduara të vaksinave, të cilat i kanë prodhuara shtetet e Perëndimit.

Në këto lajme, informacionet shpesh janë mashtruese dhe të nxjerra nga konteksti. Shembull për këtë është teksti i News Front, me titullin tendencioz “Ekspertët kinezë: Ndalojeni vaksinimin vdekjeprurës me Pfizer”.

Në këtë postim është nxjerrë nga konteksti lajmi nga Norvegjia për vdekjen e 23 personave pas vaksinimit me vaksinën Pfizer.

Në këtë tekst, News Front nxjerr përfundimin që “ekspertët besojnë” që pas, siç thuhet, “incidenteve në Norvegji” dhe në vendet tjera, duhet që të ndalojnë vaksinimin me vaksinën Pfizer.

Në lajmin e shkurtër nuk është theksuar emri i asnjë eksperti që ta ketë thënë këtë pretendim. Një informacion tjetër i paqartë nga i njëjti lajm thotë se, sipas “një eksperti”, vaksina e ARN-së ishte “zhvilluar me nxitim dhe se siguria për përdorim të gjerë te njerëzit nuk është provuar”.

Vdekjet janë në Norvegji janë raportuar, por një lidhje e drejtpërdrejtë me vaksinimin nuk është konfirmuar, pasi që bëhet fjalë për njerëz shumë të moshuar me sëmundje të rënda shoqëruese.

Gjithashtu, Norvegjia njoftoi se nuk do të ndryshojë politikën e saj të përdorimit të vaksinës amerikano-gjermane, që do të thotë se do të vazhdojë me vaksinimin.

Kur bëhet fjalë për vaksinat e ARN-së, ato janë moderne, por jo edhe si metodë e panjohur.

Ekspertët kanë punuar për të për dekada, dhe Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve përkujton se vaksinat e ARN-së tashmë janë studiuar për gripin, virusin zika dhe tërbimin.

BE-ja: Propaganda ruse gjithmonë e pranishme

Në raportin e tij të fundit të përmendur, Bashkimi Evropian paralajmëron se që nga fillimi i pandemisë, në botë ka pasur një sasi të madhe të informacioneve mashtruese dhe të teorive konspirative në lidhje me vaksinat, të cilat përhapen në mënyrë të organizuar nga shtete të caktuara, e para së gjithash nga Rusia.

Dezinformimi në lidhje me vaksinat, siç konstaton BE-ja, është e pranishme tash disa vite, por disa vende dhe grupe e përdorën atë veçanërisht gjatë pandemisë së koronavirusit.

Rusia nuk e bën këtë për herë të parë, thuhet në analizë, duke kujtuar hulumtimin e portalit të BE kundër dezinformimit (BE vs Disinfo), sipas të cilit në periudhën 2014-2017, më shumë se 93 për qind e postimeve në Twitter në lidhje me vaksinat, vinin nga llogari të dëmshme në Rusi.

Shumë prej tyre u sollën në kontakt të drejtpërdrejtë me “fabrikën e trollave” ruse, me seli në Shën Petersburg.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG