Ndërlidhjet

Serbia thotë se ka arrestuar një shtetas shqiptar pasi iu gjetën flamuj të UÇK-së


Flamuj të UÇK-së dhe Shqipërisë shihen në një protestë në Prishtinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Flamuj të UÇK-së dhe Shqipërisë shihen në një protestë në Prishtinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Autoritetet në Serbi thanë se kanë arrestuar një shtetas të Shqipërisë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “nxitjes së urrejtjes mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se anëtarët e ministrisë që ai drejton në Prokuple, në bashkëpunim me Doganat e Serbisë, arrestuan D.P. (1972) nga Shqipëria.

Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe më pas Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple do të paraqesë aktakuzën ndaj tij, u tha në njoftim.

Sipas autoriteteve serbe, Policia serbe në pikëkalimin kufitar Merdarë, që lidh Kosovën me Serbinë, gjatë kontrollit të një furgoni që drejtohej nga A.P. nga Kosova, gjeti pesë çanta ku gjendeshin “22 bluza, 244 flamuj, 86 kapela me mbishkrimin UÇK, 65 triko me figurën e Adem Jasharit dhe Agim Ramadanit, 58 shall me stemën e Shqipërisë dhe 92 kapele” me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Dyshohet se këto ishin planifikuar të përdoreshin dhe ekspozoheshin në ndeshjen që do të mbahet në Leskovc mes ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë”, tha Ministria e Brendshme Serbe.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999. Në Serbi, ajo konsiderohet organizatë terroriste.

Ndeshja futbollistike mes Serbisë dhe Shqipërisë do të mbahet në Leskovc më 11 tetor, duke nisur nga ora 20:45.

Shqipëria dhe Serbia janë pjesë e Grupit K për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Botëror 2026, së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Anglinë.

Ndeshja e parë, që u luajt në qershor në Arena Kombëtare në Tiranë, përfundoi pa gola.

Shqipëria aktualisht gjendet në vendin e dytë në tabelë me 8 pikë, ndërkaq Serbia gjendet në vendin e tretë me 7 pikë të grumbulluara.

Shtetasit e dy vendeve janë të përfshirë në rivalitet të madh, që ka në themel tensionet historike dhe etnike, sidomos lidhur me konfliktin në Kosovë dhe historinë më të gjerë të Ballkanit. Serbia vazhdon të mos njohë shtetësinë e Kosovës.

Ndeshja e parë në Tiranë kaloi pa ndonjë incident të madh, përveç disa rasteve kur tifozët kanë hedhur gjësende në fushë, por që nuk kanë ndikuar në vazhdimin e lojës.

Federata e Futbollit e Serbisë njoftoi më 3 tetor se, për arsye sigurie, biletat për ndeshjen në Leskovc nuk do të jenë në shitje, por do të shpërndahen “për komunitetin e futbollit përmes ndarjes nëpër asociacione rajonale, klube, nxënës të shkollave të futbollit dhe prindërit që i shoqërojnë ata, organizata profesionale të futbollit, sponsorë zyrtarë dhe të ftuar të Federatës serbe”.

Ky vendim u arsyetua “kryesisht për shkak të përvojës së keqe” nga viti 2014, kur ndeshja mes këtyre dy përfaqësueseve në Beograd u ndërpre pasi mbi stadiumin e Partizanit u shfaq një dron që mbante mbishkrimin “Autoktonë” mbi një hartë të “Shqipërisë së Madhe”.

Kjo bëri që të shpërthente një përleshje mes lojtarëve të të dyja ekipeve, pas së cilës disa tifozë hynë në fushë dhe sulmuan lojtarët mysafirë, ndërsa futbollistët shqiptarë u larguan nga fusha dhe refuzuan të vazhdonin ndeshjen.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG