Ndërlidhjet

Diabeti, çrregullim shëndetësor në rritje edhe te fëmijët


Ilustrim
Ilustrim

Ndonëse në Kosovë nuk ka statistika të sakta se sa fëmijë vuajnë nga diabeti apo sëmundja e sheqerit, sipas profesionistëve shëndetësorë, numri i të prekurve nga ky çrregullim po shënon rritje çdo vit.

Në krahasimet afatgjate, thuhet se përderisa në vitin 2007, numri i fëmijëve që ishin diagnostikuar me diabet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka qenë 12 raste, tre vjetët e fundit janë shfaqur rreth 50 raste të reja me diabet. Këta fëmijë, janë të varur nga insulina.

Kështu tha Vjosa Kotori, pediatre, sipas të cilës sëmundja e diabetit është e trajtueshme, dhe fëmijët mund të rriten, zhvillohen mirë dhe të arrijnë një pleqëri të shëndetshme, nëse kanë qasje të drejtë mjekësore.

Numri i rasteve të reja me diabetin tip 1, që është çrregullim i natyrës auto-imune, është në rritje në Kosovë sikur edhe në shumë vende të tjera. Problemi nuk është Kosova, pse është një vend më pak i zhvilluar, ngase ky është një çrregullim dhe rritja e rasteve të reja shënohet edhe në shtetet e zhvilluara”.

Problemi që Kosova duhet ta ngreh zërin është përkrahja e të sëmurëve me diabet, mbështetja e tyre me insulinë, dhe me rritjen e edukimit shëndetësor nëpër shkolla dhe media, që të luftohet stigma dhe ndjenja e frikës dhe turpi nga sëmundja e diabetit”, thotë Kotori.

Sëmundja, që ne e thërrasim çrregullim është kronike, por është e trajtueshme dhe mund të trajtohet shkëlqyeshëm mirë”, thotë tutje ajo.

Mbipesha potencohet se është një ndër shkaktarët kryesor pse fëmijët preken nga diabeti. Por, profesionistë të fushës thonë se diabetin e shkaktojnë shumë faktorë. Për parandalimin e sëmundjes, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë rekomandime, të cilat Sami Uka nga zyra në Prishtinë e kësaj organizate, i shpjegon për Radion Evropa e Lirë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po përpiqet të ofrojë udhërrëfyes shkencor për parandalimin e shumicës së sëmundjeve jongjitëse, përfshirë edhe diabetin, të zhvillojë normat dhe standardet për diagnozën e diabetit, dhe të ngrisë ndërgjegjësimin për sëmundjen e diabetit, përfshirë ditën botërore të diabetit, po edhe të realizojë mbikëqyrjen e diabetit dhe faktorët e tij të rrezikut”, thotë Uka.

"Rekomandimi më i theksuar i OBSH-së lidhur me parandalimin e diabetit, është që të rritet aktiviteti fizik, dhe të ruhet pesha optimale. Aktiviteti fizik duhet të zgjatë 30 minuta në ditë”.

Dietat e shëndetshme luajnë rol të rëndësishëm, duke shmangur sheqerin dhe yndyrat e ngopura,’’ shton ai.

Vjosa Kotori ndërkohë shpjegon për kushtet e trajtimit që bëhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për tërë Kosovën.

Trajtimi i fëmijëve me diabet në Kosovë është i njëjtë si në gjitha vendet tjera të botës. Ne mundohemi t’i përcjellim të dhënat e reja, marrim pjesë në mbarë botën në kongrese të ndryshme dhe i aplikojmë të njëjtat protokolle. Edukimi shëndetësorë i mirëfilltë për diabetin funksionon shumë mirë në Klinikën e Pediatrisë, pa të cilin nuk ka trajtim të mirë për diabetin”.

‘’Diabeti i tipit 1 i varur nga insulina duhet të trajtohet me 4 dhënie të dozave ditore në ditë. Insulina e tillë ekziston në Klinikë, derisa pacientët edhe në qendra të mjekësisë familjare e marrin insulinën”, tha Kotori.

Ndryshe, edhe ushqimi jokualitativ që çon në mbipeshë, vlerësohet të jetë një nga shkaktarët e sëmundjes së diabetit tek fëmijët.

Sidoqoftë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, vetëm 3 për qind e fëmijëve gjatë kontrolleve mjekësore në shkolla, kanë rezultuar me mbipeshë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG