Të mërkurën e 19 nëntorit është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Ajo do të nisë në orën 14:00.
Ndërkaq, në orën 11:00 është thirrur një seancë tjetër me disa pika të rendit të ditës, sikurse janë formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
PDK, LDK, AAK dhe Nisma bojktojnë seancën e parë
Deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se LVV-ja dorëzoi kërkesën për seancën e parë me nëntë pika të rendit të ditës që përfshijnë disa marrëveshje ndërkombëtare, duke kërkuar mbështetjen e të gjitha partive, pasi argumentoi se ato “nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.
“Për realizimin e kësaj agjende, është i domosdoshëm formimi i katër komisioneve të përhershme parlamentare, të cilat mund të formohen pavarësisht se kush është në pozitë apo opozitë, sepse numri i anëtarëve varet nga pesha e grupit parlamentar në Kuvend, nga gjithsej 11 anëtarë sa duhet të jenë”, shkroi ajo në Facebook.
Pas njoftimit për dy seancat, partitë që mandantin e kaluar ishin në opozitë u shprehën se nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00.
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i tha Radios Evropa e Lirë se kanë mbajtur një mbledhje të grupit parlamentar së bashku kryetarin Bedri Hamza dhe kanë vendosur që të mos marrin pjesë në seancën e parë. Ajo paralajmëroi se para nisjes së kësaj seance, PDK-ja do të mbajë një konferencë për media.
Lidhja Demokratike e Kosovës tha po ashtu se s'do të marrë pjesë në seancën e parë, duke argumentuar se aty përfshihen marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces "serioz e konsultim".
“LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, tha kjo parti përmes një njoftimi, duke shtuar se do të marrë pjesë vetëm në seancën për Qeverinë e re.
Kjo parti akuzoi LVV-në se po tenton “të përdorë institucionet e Republikës si instrument të lojërave të saj politike”.
“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15-ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë”, u tha në njoftim.
Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, i tha Radios Evropa e Lirë, se deputetët e kësaj partie s'do të marrin pjesë në seancën e parë, ndërkaq "në të dytën do të votojmë kundër" Qeverisë Konjufca.
Edhe Nisma Socialdemokrate njoftoi se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, pasi argumentoi se është thirrur pa konsultim paraprak me subjektet politike.
“Thirrja e kësaj seance, pa agjendë të dakorduar, pa konsultim dhe pa respektim të rregullave parlamentare, nuk e pasqyron seriozitetin që kërkojnë marrëveshjet ndërkombëtare, angazhimet financiare dhe çështjet buxhetore. Këto tema nuk mund të trajtohen si dekor për fushatë dhe as si instrument i propagandës ditore”, tha kjo parti.
Subjekti që udhëhiqet nga Fatmir Limaj tha se vendi ndodhet në krizë pasi është “e qartë” se nuk ka shumicë parlamentare.
“Përkundër kësaj, janë zvarritur proceset, janë shpikur skenarë dhe janë krijuar iluzione për shumicë që nuk ekziston”, u tha në njoftimin e Nismës Socialdemokrate të publikuar në rrjetet sociale.
Në fund të tetorit, kryeparlamentari Dimal Basha, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, kishte deklaruar se nuk kishte gjetur mirëkuptim për formimin e komisioneve parlamentare, me qëllim që të shtyhen përpara si çështja e buxhetit të Kosovës, ajo për RTK-në, por edhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Basha e pranoi se pa votimin e Qeverisë së re të Kosovës nuk dihet se kush është në pushtet dhe opozitë dhe për rrjedhojë nuk dihet se sa komisione do t’i takonin partive.
Pas kësaj mbledhjeje, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se potentohet të “simulohet demokracia duke shkelur Kushtetutën”.
Disa orë para njoftimit për seancën e re, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u pyet gjatë një konference për media nëse do të diskutojë me partitë për miratimin e zgjatjeve buxhetore, pasi vendi rrezikon të hyjë në vitin e ri pa buxhet të miratuar.
Ajo tha se miratimi i zgjatjeve buxhetore është i domosdoshëm, pasi pa buxhet "do të ishte një situatë kritike", duke shtuar se me zgjatje buxhtore vendi do të kishte buxhet deri në fund të marsit.
Osmani së voni po ashtu ka kërkuar që të ratifikohen marrëveshje ndërkombëtare në mënyrë që Kosova të përfitojë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Në pika të rendit të ditës të seancës së orës 11:00 janë edhe buxhetet për tri komunat dhe RTK-në.
Tri komunat – Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku – janë vonuar që të miratojnë buxhetin për vitin 2025, që do të duhej të miratohej deri më 30 shtator të vitit paraprak.
Ndërkaq, RTK-ja po përballet me probleme financiare tash e një kohë, pasi raporti vjetor i saj duhet të diskutohet nga Komisioni për buxhet i Kuvendit – që nuk është i themeluar – në mënyrë që më pas të ketë buxhet për pagat e mbi 700 punëtorëve.
Seanca për Qeverinë e Kosovës
Seanca për Qeverinë mbahet në ditën e fundit të mandatit kushtetues, pasi presidentja Vjosa Osmani, mandatoi më 4 nëntor Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e ekzekutivit të ri.
Sipas praktikave, Konjufca pritet të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.
Pas propozimit si mandatar nga LVV-ja, Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë parlamentare, por jo edhe ndonjë marrëveshje koalicioni.
Ai tha se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh as "mundësi teorike" që të arrihet një koalicion me partitë e tjera shqiptare, të cilat, sipas tij, kanë "ndërtuar një urrejtje hibride ndaj meje".
Gjatë propozimit të Konjufcës për mandatar, Kurti tha se ai do të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës – post, që Kurti e kishte propozuar Konjufcën në ekzekutivin e propozuar më 26 tetor. Atëkohë, Kurti dështoi të siguronte 61 votat e nevojshme të deputetëve.
Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri.
Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë.
Pas dekretimit të Konjufcës, Osmani tha se partitë e tjera të mëdha shqiptare nuk kishin emër për mandatar, duke shtuar se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.
LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t'i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.