Ndërlidhjet

Schmidt e pezullon financimin buxhetor për partinë e Dodikut


Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.
Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka marrë vendim për t'i pezulluar pagesat nga buxheti në të gjitha nivelet në Bosnje për Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur, e cila udhëhiqet nga Millorad Dodiku, dhe për partinë politike Sërpska e Bashkuar, e cila është partnere në koalicion me partinë e Dodikut në entitetin Republika Sërpska.

Duke folur në Sarajevë, Schmidt tha të enjten se pezullimi i financimit vlen për buxhetet në të gjitha nivelet – nga ai shtetëror, i entiteteve deri te ai komunal – duke theksuar se “veprimet kundër Marrëveshjes së Dejtonit kanë pasoja dhe se ai do ta rishqyrtojë vendimin e tij pasi ato të ndalen”.

“Të gjitha fondet për këto parti, në të gjitha nivelet e pushtetit, do të pezullohen dhe do të ridrejtohen në një llogari të veçantë në Bankën Qendrore të BeH,” tha Schmidt.

Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje ka kompetenca, të cilat janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të imponuar ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë.

Ai gjithashtu e ka ndryshuar Kodin Penal të Bosnjës dhe ka përcaktuar që vendimet e tij janë të detyrueshme.

Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit të RS-së dhe liderin e partisë Sërpska e Bashkuar, Nenad Stevandiq, si dhe me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, në një hetim që Prokuroria e Bosnjës po e zhvillon që nga fundi i vitit të kaluar.

Në mars u lëshuan fletarrestime qendrore ndaj tyre, pasi ata nuk iu përgjigjën ftesës për t’u marrë në pyetje.

Kjo do të thotë që secila nga gjithsej 16 agjencitë policore në të gjitha nivelet e pushtetit në Bosnje duhet t’i arrestojë ata, gjë që deri më sot nuk është bërë.

Schmidt theksoi se me vendimin që ka imponuar, synon t’i mbështesë përpjekjet e institucioneve të Bosnjës për t’iu kundërvënë "sulmeve flagrante të koalicionit qeverisës të RS-së, të udhëhequr nga SNSD-ja dhe Sërpska e Bashkuar, ndaj parimeve themelore të Marrëveshjes së Dejtonit dhe rendit kushtetues-juridik të Bosnjës".

*Për atë se çfarë po ndodh në Bosnje mund të mësoni më shumë në videon më poshtë, e publikuar javë më parë nga REL-i

Çfarë po ndodh në Bosnje? Çfarë po ndodh në Bosnje?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:18 0:00

Ai theksoi se udhëheqësit e SNSD-së dhe të Sërpskas së Bashkuar janë në pararojë të aktiviteteve kundër Dejtonit dhe se kjo është në kundërshtim me zotimet e tyre deklarative për respektimin e dispozitave të Marrëveshjes së Dejtonit për paqe.

“SNSD-ja dhe Sërpska e Bashkuar vazhdimisht i instrumentalizojnë institucionet e RS-së për të penguar institucionet e Bosnjës që t’i zbatojnë në mënyrë efikase vendimet dhe kompetencat në të gjithë territorin e Bosnjës”, tha Schmidt.

Ai gjithashtu theksoi se udhëheqësit e këtyre partive nxisin institucionet e RS-së dhe qytetarët e këtij entiteti të kryejnë vepra penale, duke i kërcënuar me sanksione nëse shfaqin rezistencë dhe mosbindje.

Vendimi i marrë, siç tha ai, hyn menjëherë në fuqi.

“Institucionet shtetërore kanë bazë në Marrëveshjen e Dejtonit dhe çdo mosrespektim i vendimit që kam marrë i nënshtrohet përgjegjësisë penale dhe mund të rezultojë me masa të mëtejshme”, tha ai.

Partitë në RS kundërshtojnë vendimin e Schmidit

Lidhur me vendimin e përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje kanë reaguar partitë politike në Republikën Sërpska.

Radovan Kovaçeviq, funksionar i lartë i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur të Millorad Dodikut dhe delegat në Dhomën e Popullit të Parlamentit të Bosnjë dhe Hercegovinës, deklaroi se asnjë vendim i Christian Schmidt, nuk do të pranohet.

Edhe Nenad Stevandiq, kryetar i Sërpska e Bashkuar, e quajti vendimin e përfaqësuesit të lartë “të pazbatueshëm”.

“Përveç faktit që nuk përmbajnë asnjë masë juridike apo ndërkombëtare, konventë, asgjë, vetëm konfirmojnë se Këshilli i Sigurimit [i Kombeve të Bashkuara] ka pasur plotësisht të drejtë kur ka refuzuar propozimin e PIC-it [Këshilli për Zbatimin e Paqes] për emërimin e tij. Pra, çfarë përfaqësuesi i lartë, të tilla janë edhe vendimet. Të pavlefshme”, tha Stevandiq për Radion Evropa e Lirë.

Përfaqësuesit e pushtetit në RS-së nuk e njohin Schmidtin si përfaqësues të lartë në Bosnje, duke argumentuar se ai nuk është zgjedhur ligjërisht.

Përfaqësuesi i lartë nuk mund të ndalojë pagesën e parave për partitë politike nga buxheti i Republikës Srpska, tha për Radion Evropa e Lirë, Zora Vidoviq, ministre e Financave e Republikës Sërpska.

“Do të thotë, tjetër gjë ka qenë kur disa njerëzve dhe partive u janë vendosur sanksione dhe u janë mbyllur llogaritë, por pagesën nga buxheti nuk mund ta ndalojë ai, sepse nuk është ai që e ka miratuar buxhetin, por Kuvendi Popullor”, deklaroi Vidoviq.

Ajo shtoi se mohimi i fondeve për partitë politike është i mundur “vetëm nëse kuvendi i entitetit merr një vendim të tillë, që të bëjë një rishikim të ri të buxhetit ose t’i heqë ato ndarje buxhetore.”

“Do të thotë, ne në buxhet kemi ndarje të planifikuara që janë miratuar nga Kuvendi Popullor dhe ne i përmbahemi atyre", tha Vidoviq.

Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, e mori vendimin për pezullimin e financimit buxhetor një ditë pasi pjesëtarëve të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), policët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RS-së ua ndaluan hyrjen në ndërtesën e Qendrës Administrative në Sarajevën Lindore, në kohën kur Dodiku po mbante një takim me përfaqësues të Qytetit të Sarajevës Lindore.

Nga SIPA konfirmuan për REL-in se pjesëtarët e kësaj agjencie kishin për qëllim të vepronin sipas urdhrit të Gjykatës së Bosnjës, dhe se nuk kishte pasur përdorim të forcës.

Në fund të shkurtit, Dodiku u dënua në shkallën e parë nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe iu ndalua veprimtaria politike për gjashtë vjet, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë dhe nënshkrimit të dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt më herët i kishte anuluar.

Një ditë pas dënimit ndaj Dodikut, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi më 27 shkurt një ligj jokushtetues për ndalimin e funksionimit të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTV).

Autoritetet e RS-së deklaruan se nuk heqin dorë nga ky ligj, edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës më 7 mars e ndaloi përkohësisht zbatimin e tij.

Në mes të marsit, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi gjithashtu një draft-kushtetutë të re të RS-së, me të cilën autoritetet synojnë ta përcaktojnë këtë entitet si “shtet të popullit serb”, t’i japin të drejtë vetëvendosjeje, të krijojnë ushtrinë e vet, si dhe ta shfuqizojnë Këshillin e Popujve dhe nënkryetarët nga dy popujt tjerë përbërës.

Për shkak të veprimeve që përbëjnë kërcënim ndaj rendit kushtetues të Bosnjës, Gjermania dhe Austria në fillim të prillit vendosën sanksione kundër Dodikut, Vishkoviqit dhe Stevandiqit.

Së bashku me anëtarët e familjes së tij dhe bashkëpunëtorët e rëndësishëm politikë, Dodiku tashmë ndodhet në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG