Ndërlidhjet

Kurti: Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës nga 1 janari


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në samitin e Procesit të Berlinit, 14 tetor 2024.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në samitin e Procesit të Berlinit, 14 tetor 2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje e Herecegovinës.

Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisen me viza për të lëvizur në vendet respektive.

Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në kryeqytetin gjerman, Kurti tha se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm deri më tash, por se duhen “edhe më shumë veprime”.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime - të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament - unë kam vendosur t'i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës”, tha Kurti.

“Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, tha ai.

I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, ky proces shënon sivjet dhjetë vjet.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor - Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut - dhe gradualisht t'i afrojnë ato më pranë BE-së.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër vite, janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.

Marrëveshja për lëvizje të lirë me letërnjoftime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është arritur në vitin 2022.

Derisa qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, ata duhet të pajisen me viza për të shkuar në Bosnje e Hercegovinë. Ngjashëm, edhe ata të Bosnjës që duan të hyjnë në Kosovë.

Kjo, për faktin se Bosnje e Hercegovina, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen për lëvizje të lirë.

Samiti i Procesit të Berlinit, 14 tetor 2024.
Samiti i Procesit të Berlinit, 14 tetor 2024.

Gjatë samitit, Kurti foli edhe për Agjendën e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Ai kujtoi se Strategjia e Kosovës përfshin qëllimin për të kaluar në burime të rinovueshme të energjisë deri në vitin 2050.

“Ndërsa kemi rezervën e pestë më të madhe të linjitit në botë, ne kemi vendosur objektiva të qarta për t'i reduktuar emetimet tona të gazeve serrë në mbarë vendin - për 36% deri në vitin 2030 - dhe për t'i mbajtur rezervat nën tokë. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj tranzicionit të gjelbër, edhe pse nuk jemi palë në Marrëveshjen e Parisit [për klimën]”, tha Kurti.

“Pavarësisht përpjekjeve tona, ne jemi ende të përjashtuar nga mekanizmat kryesorë shumëpalësh të financimit”, tha ai, duke shtuar se Kosova ka nevojë për qasje në financat globale të klimës, që do ta mbështesnin tranzicionin e saj.

Nikoqiri i samitit të Procesit të Berlinit, kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Nikoqiri i samitit të Procesit të Berlinit, kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Duke folur në hapje të ngjarjes në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Procesi i Berlinit “është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën”, tha ai.

Scholz paralajmëroi nënshkrimin e dy dokumenteve të reja në samitin e sotëm, që, siç tha, do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë.

I pari, sipas tij, ka të bëjë me një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa i dyti me një marrëveshje të re për lëvizjen, që përfshin edhe qasjen në arsimin e lartë.

Scholz, po ashtu, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

“Na duhet një dinamikë e re... do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.

“Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shtoi ai.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, 14 tetor 2024.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, 14 tetor 2024.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, “është mirë të jemi në Berlin me partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor”.

“T'i shikojmë arritjet tona në të kaluarën, por le të shohim sidomos përpara. Drejt një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë”, shkroi von der Leyen në platformën X.

“Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së”, shkroi më herët në Facebook kryeministri i Kosovës, Kurti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG