Kievi nuk ka bërë asnjë hap që shkon përtej asaj që është rënë dakord në korrik për të bindur Moskën që të rikthehet në marrëveshjen për drithërat.
Kështu tha më 3 e nëntor ministria e Jashtme e Ukrainës.
Rusia pezulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja, më 29 tetor, pas pretendimeve se sulmet me dronë nga Ukraina kanë pasur për cak flotën e saj në Detin e Zi. Ajo rifilloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshje më 2 nëntor.
Kjo marrëveshje i mundëson Ukrainës të eksportojë në mënyrë të sigurt drithëra nga portet në Detin e Zi, teksa lufta po vazhdon.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska kishte marrë garanci se Kievi nuk do të përdorte korridoret humanitare për të sulmuar forcat ruse.
Ai tha se Rusia rezervon të drejtën të tërhiqet përsëri nëse Ukraina nuk e mbanë fjalën.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko, tha se Kievi nuk i kishte ofruar asgjë të re Rusisë për ta bindur atë që të kthehet në marrëveshje.
"Shteti ynë nuk ka ndërmarrë asnjë angazhim të ri që shkon përtej atyre ekzistuese në marrëveshjen për drithërat", tha Nikolenko.
"Moska i është rikthyer marrëveshjes për drithërat falë diplomacisë aktive të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Në koordinim me Ukrainën, ata gjetën fjalë që Putini i kuptonte. Ishte çështje force, jo koncesion".
"Kujtojmë se brenda kësaj marrëveshjeje palët u angazhuan të garantojnë një mjedis funksional të sigurt dhe të besueshëm për korridorin e grurit. Ukraina nuk ka vënë kurrë në rrezik këtë korridor”, tha ai.
Ai tha se Ukraina po i përmbahej qartë kushteve të marrëveshjes.
"Ukraina nuk e përdori dhe nuk do ta përdorë korridorin për qëllime ushtarake", tha Nikolenko.
Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës tha se shtatë anije që transportonin produkte bujqësore u larguan nga portet ukrainase të Detit të Zi, më 3 nëntor.
Anijet janë të ngarkuara me 290.000 tonë produkte ushqimore dhe janë nisur drejt vendeve evropiane dhe aziatike, tha Ministria në një deklaratë, pa dhënë detaje tjera.
Këto eksporte janë kruciale: Ukraina dhe Rusia janë eksportueset kyçe botërore për grurin, elbin, vajin e lulediellit dhe ushqimeve të tjera që dërgohen në Afrikë, Lindje të Mesme dhe pjesë të Azisë ku shumë përballen me uri.