Ndërlidhjet

Rusia thotë se ka rimarrë disa vendbanime në Kursk


Një ushtar ukrainas në Sudzha në rajonin Kursk. 16 gusht 2024.
Një ushtar ukrainas në Sudzha në rajonin Kursk. 16 gusht 2024.

Rusia tha se nuk ka dyshim që trupat e saj shumë shpejt do të rimarrin të gjithë territorin e rajonit të Kurskut dhe do të dëbojnë forcat ukrainase, të cilat për më shumë se shtatë muaj janë duke kryer ofensivë në këtë rajon që gjendet pranë kufirit me Ukrainën.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj janë duke sulmuar pozicionet e mbetura ukrainase, pasi kanë marrë kontrollin e tri vendbanimeve të tjera, përfshirë qytezën Sudzha, që gjendet pranë kufirit me Ukrainën dhe nëpër të kalon një rrugë që Kievi e ka përdorur për të dërguar furnizime për forcat e tij.

Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, tha të mërkurën se trupat e Kievit do të vazhdojnë të operojnë në Kursk për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke shtuar se luftimet po vazhdojnë në dhe përreth Sudzhës.

Rusia nisi në gushtin e vitit të kaluar një ofensivë të befasishme në rajonin rus të Kurskut, duke marrë nën kontroll një pjesë të rajonit. Por, forcat ruse, të mbështetura nga forcat e Koresë së Veriut gradualisht nisën të rimarrin territorin e humbur.

Presidenti rus, Vladimir Putin, që vizitoi ushtrinë në Kursk të mërkurën, urdhëroi komandantët e ushtrisë së tij që të rimerrnin shpejtë territorin e humbur.

Njoftimi nga Moska për përparim në Kursk, vjen në kohën e përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës që nisi tre vjet më parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG