Sulmi më i madh ajror i Rusisë në Ukrainë, prej nisjes së luftës, i ka vënë zjarrin njërës prej ndërtesave kryesore të Qeverisë ukrainase në Kiev, dhe i ka lënë të vdekur tre persona, përfshirë një foshnje, trupi i së cilës është nxjerrë nga rrënojat, kanë thënë zyrtarët ukrainas të dielën.
“Për herë të parë është dëmtuar ndërtesa qeveritare nga sulmet e armikut, kulmi dhe katet e larta”, ka thënë kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, përmes një njoftimi në Telegram.
“Ekipet e shpëtimit janë duke shuar zjarrin”.
Dëshmitarët kanë treguar se katet e larta të ndërtesës së Qeverisë janë djegur dhe është parë tym i madh pak pas lindjes së diellit.
Forca ajrore e Ukrainës ka bërë të ditur se Rusia i ka nisur 805 dronë përgjatë natës në drejtim të Ukrainës, si dhe 13 raketa.
Mbrojtja ukrainase i ka rrëzuar 751 dronë dhe katër raketa.
Ky është numri i madh i dronëve të nisur nga Rusia prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.
Timur Tkachenko, shef i administratës ushtarake në Kiev, ka thënë se trupi i foshnjës është nxjerrë nga rrënojat në rajonin Darnitski, ku është dëmtuar një ndërtesë katërkatëshe e banimit.
Edhe një grua e re ka vdekur si pasojë e sulmit, ka thënë ai.
Zyrtarë për emergjenca kanë thënë se 18 persona janë plagosur në sulmin e kryer në orët e hershme të mëngjesit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “kësi vrasjesh tani, kur diplomacia do të mund të niste kohë më parë, përbëjnë krime të qëllimshme dhe zgjatje të luftës”.
Moska nuk i ka komentuar sulmet. Ajo e mohon se shënjestron civilët në sulme, mirëpo mijëra persona kanë vdekur prej nisjes së luftës.
Svyrydenko ka bërë thirrje për më shumë armë për Ukrainën dhe që bota të përgjigjet ndaj sulmeve ruse.
“Ne do t’i rindërtojmë banesat”, ka thënë ajo.
“Por, jetët e njerëzve nuk mund të kthehen. Armiku po terrorizon dhe vret njerëzit tanë çdo ditë”.
Për pasoja nga sulmet është raportuar edhe në qytete tjera ukrainase, përfshirë Kremençukun, Krivi Rihun dhe Odesën.
Me rritjen e numrit të sulmeve në perëndim të Ukrainës, Polonia i ka aktivizuar aeroplanët e vet për të garantuar sigurinë, ka bërë të ditur komanda operacionale e ushtrisë polake.
Sulmet i kanë zbehur shpresat për bisedime të suksesshme për paqe në mes të Rusisë dhe Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka refuzuar ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin që të udhëtojë në Moskë për të diskutuar për paqe.
“Ai mund të vijë në Kiev”, ka thënë Zelensky gjatë një interviste për ABC News.
“Nuk mund të shkoj në Moskë kur shteti im po sulmohet me raketa çdo ditë. Nuk mund të shkoj në kryeqytetin e këtij terroristi”.
Sipas presidentit ukrainas, ftesa e Putinit synon “shtyrjen e takimit” dhe që lideri rus është duke luajtur me Shtetet e Bashkuara.
Putin e ka nënvlerësuar disa herë rëndësinë e takimit me presidentin ukrainas, dhe më vonë ka sugjeruar se mund ta takojë atë, por vetëm në Moskë.