Forcat ruse kanë bombarduar dhjetëra qyteza në rajonin e Donbasit dhe po u afrohen dy qyteteve kyçe, Severodonjeck dhe Lisiçansk, ku mijëra civilë rrezikojnë të mbesin të bllokuar pa rrugëdalje, ka thënë ushtria ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka hedhur poshtë sugjerimet për të bërë lëshime territoriale ndaj Rusisë, për dhënie fund të luftës, duke bërë krahasim me zbutjen e Gjermanisë naziste nga Perëndimi më 1938.
Forcat ruse kanë bombarduar 40 qyteza në zonat e kontrolluara ende nga Kievi në rajonin e Donbasit, ka thënë ushtria ukrainase më 26 maj.
“Trupat ruse kanë avancuar mjaftueshëm sa për të kryer sulme me mortaja”, ka thënë guvernatori i Luhanskut, Serhiy Hayday më 25 maj, në një postim në rrjetet sociale.
Rënia e këtyre dy qyteteve do t’iu mundësonte forcave ruse marrjen e kontrollit të provincës Luhansk, një prej synimeve të Rusisë në luftë.
Megjithatë, inteligjenca britanike ka thënë në përditësimin e fundit se ofensiva ruse po përballet me dështime serioze operacionale, duke përmendur në mënyrë specifike forcat elitare ajrore.
Sipas saj kjo gjë vënë në pah se si investimet e presidentit rus, Vladimir Putin në forcat e armatosura në 15 vjetët e fundit kanë rezultuar në forcë të pabalancuar.
Ndërkohë Zelensky bërë sërish thirrje për ndihmë të Perëndimit.
“Na duhet ndihma e partnerëve tanë – mbi të gjitha armë për Ukrainën. Ndihmë e plotë, pa përjashtime, pa limite dhe e mjaftueshme për të fituar”, ka thënë Zelensky.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.