Ndërlidhjet

Rusia bllokon faqet e dy projekteve të REL-it


Logoja e televizionit, Current Time.
Logoja e televizionit, Current Time.

Faqet e Current Time dhe Crimea.Realities, projekte të Radios Evropa e Lirë, janë bllokuar në Rusi, pas mbulimit të pushtimit rus në Ukrainë.

Këto dy faqe nuk kanë qenë të qasshme më 28 shkurt.

Një ditë më herët, Current Time ka pranuar një letër zyrtare nga Roskomnadzor, vëzhguesi rus i mediave, në të cilën është thënë se faqja “përmban informacion që shkel ligjin”.

Sipas Roskomnadzor, faqja ka shpërndarë “informacion jo të saktë për personelin e ushtrisë ruse që besohet se është vrarë apo zënë në territorin e Ukrainës gjatë një operacioni special ushtarak të kryer nga forca ushtarake të Federatës Ruse”.

Roskomnadzor i ka kërkuar Current Time që të heqë të gjitha informacionet për pushtimin rus në Ukrainë, duke theksuar se nëse nuk vepron kështu, do të pasojë bllokimi.

Current Time ka refuzuar të heqë informacionin e kërkuar.

Më herët gjatë këtij muaji Roskomnadzor ka kërkuar nga Crimea.Realities dhe disa media tjera ruse që të mos raportojnë për pozicionimin e ushtrisë ruse.

Crimea.Realities ka refuzuar të plotësojë kërkesën.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

XS
SM
MD
LG