Ndërlidhjet

Rumania: Shkelja e hapësirës ajrore nga Rusia krijon një sfidë të re në rajonin e Detit të Zi


Dy avionë rumunë F-16. Avionë të llojit të njëjtë ndoqën një dron rus që shkeli hapësirën ajrore të Rumanisë.
Dy avionë rumunë F-16. Avionë të llojit të njëjtë ndoqën një dron rus që shkeli hapësirën ajrore të Rumanisë.

Një dron rus që hyri në hapësirën ajrore rumune gjatë një sulmi në Ukrainën fqinje dhe qëndroi mbi territorin e shtetit të NATO-s për 50 minuta, përpara se të kthehej sërish drejt Ukrainës, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë më 14 shtator.

Dy avionë luftarakë rumunë F-16 e detektuan dronin Geran, ndoqën lëvizjet e tij mbi Rumani mbrëmjen e së shtunës përmes vëzhgimit dhe radarëve, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi.

Pilotët e F-16 morën autorizimin nga komandantët e tyre për të qëlluar dronin, por “ata vlerësuan rreziqet kolaterale dhe vendosën të mos hapin zjarr”, tha ministria.

Ky inkursion rriti tensionet rreth shkeljeve të hapësirës ajrore të NATO-s nga Rusia, pasi Polonia rrëzoi disa nga 19 dronët rusë që tha se kishin hyrë në territorin e saj më 10 shtator.

Kjo ishte hera e parë që NATO-ja hapi zjarr ndaj fluturakeve ruse që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, duke duke e përkeqësuar ndjeshëm situatën tashmë të tensionuar mes Moskës dhe aleancës ushtarake perëndimore.

Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë tha se “dënon fuqishëm veprimet e papërgjegjshme të Federatës Ruse dhe thekson se ato përbëjnë një sfidë të re për sigurinë dhe stabilitetin rajonal në zonën e Detit të Zi”.

“Incidente të tilla tregojnë mungesën e respektit të Federatës Ruse për normat e së drejtës ndërkombëtare dhe vënë në rrezik jo vetëm sigurinë e qytetarëve rumunë, por edhe sigurinë kolektive të NATO-s”, u tha në reagim.

Shefja për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e quajti inkursionin me dronë “edhe një shkelje tjetër të papranueshme” të sovranitetit të një vendi anëtar të BE-së, duke shtuar se “ky përshkallëzim i vazhdueshëm dhe i pamatur rrezikon sigurinë rajonale”.

Forcat gjermane, që gjenden në Rumani, dislokuan dy avionë luftarakë Eurofighter Typhoon për të monitoruar zonën për disa orë pas inkursionit, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.

Ministri i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu, i tha Radios Evropa e Lirë më 13 shtator se droni doli nga hapësira ajrore rumune dhe nuk u rrëzua në territorin e shtetit të tij.

Ministria e Mbrojtjes tha se droni hyri në hapësirën ajrore rumune pas sulmeve ajrore ruse mbi infrastrukturën ukrainase në lumin Danub, i cili është pjesë e kufirit mes dy shteteve në Detin e Zi. Ajo shtoi se droni nuk fluturoi mbi zona të banuara dhe nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG