Ndërlidhjet

Rritja e kostos së ndërtimit shtrenjton banesat


Kosovë: ndërtesa të vjetra dhe të reja në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë
Kosovë: ndërtesa të vjetra dhe të reja në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë

Vetëm ngritja që ka pasur çmimi i hekurit gjatë muajve të fundit, e ka shtrenjtuar koston e ndërtimit për një metër katror në Kosovë, për rreth 17 euro, thotë Faton Hoxha, kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve në Kosovë. Kjo rritje e kostos së ndërtimit sipas tij, pashmangshëm rrit edhe koston e banimit.

“Kemi ngritje të çmimit të hekurit apo armaturës për afër 100 për qind, çimentos 80 për qind, drurit 60 për qind, pra të gjitha materialet që janë bazë për ndërtim u janë rritur çmimet. Kur të shtojmë edhe transportin, mund të themi që kostoja e ndërtimit është rritur për mbi 20 për qind”, thotë Hoxha. Ai thotë se ka tendencë edhe më tutje të rritjes së kostos së ndërtimit.

Rritja e kostos së ndërtimit thuhet të jenë shkaktuar për shkak të kërkesës së lartë për ndërtim, që është duke ndodhur pas lirimit të masave si pasojë e pandemisë në mbarë botën, por edhe në Kosovë.

Po ashtu, një arsyeje tjetër, thotë Hoxha, është se disa fabrika kanë punuar me numër të reduktuar të punëtorëve gjatë kohës së pandemisë dhe se prodhimi ka qenë i ulët.

Apartamentet mund të shtrenjtohen deri në 30 për qind

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kostoja e ndërtimit në Kosovë ka shënuar rritje për 5.3 për qind në tre mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, ngritje të çmimeve kanë shënuar materialet ndërtimore 7.9 për qind, energjia 5.5 për qind, makineritë 2.7 për qind dhe kostot e tjera 0.6 për qind.

Por, sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, kostoja e ndërtimit ka shënuar rritje për mbi 20 për qind.

Brahim Selimaj, pronar i kompanisë ndërtimore “Elsa”, thotë për Radion Evropa e Lirë se kostoja e ndërtimit dikton edhe çmimin e banesave, që siç thotë ai, do të jetë shumë më i lartë.

“Deri në 30 për qind do të jetë më e shtrenjtë kostoja e blerjes së banesave, për shkak të ngritjes enorme të çmimeve të materialeve ndërtimore”, thotë Selimaj.

Ai thotë se materialet ndërtimore janë më të shtrenjta në tre mujorin e fundit. Sipas tij, përveç materialit ndërtimor, çmimet janë rritur edhe për fuqinë punëtore, e cila është deficitare, sidomos tek muratorët që janë të inkuadruar drejtpërdrejt në ndërtim.

Kosova është importuese e pothuajse të gjitha materialeve ndërtimore dhe çdo ndryshim i çmimit në botë, ndikon edhe në Kosovë.

“Këto pasoja do të jenë më të mëdha në koston e shitjes dhe blerjes së banesave”, thotë ai.

Çmimet e banesave në Kosovë variojnë nga kompanitë private ndërtimore, që bëjnë shitjen e banesave. Çmimet për një metër katror nisin nga 500 euro e më lartë, varësisht nga lokacioni se ku gjendet banesa.

Sipas të dhënave të regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, e bërë në vitin 2011, numri i banesave është 412, 884. Ndërsa numri i popullsisë është 1,739,825 banorë.

Pas vitit 2011, ndërtimi i banesave në Kosovë ka pasur një hov të madh, por që nuk ka të dhëna për këtë periudhë nga ASK-ja.

Por, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndër vite ka shënuar rënie numri i anëtarëve në një shtëpi apo banesë të përbashkët.

Derisa në vitin 2014, madhësia mesatare e ekonomive familjare ka qenë 5.62 banorë, në vitin 2019 ka rënë në 4.98 banorë në një familje.

Në pritje të diasporës

Brahim Selimaj nga kompania “Elsa”, thotë se ngritja e kostos së ndërtimit i ka vënë në një situatë të vështirë sektorin e ndërtimit dhe çmimet e materialeve ndërtimore, që edhe më tutje kanë tendencë të rriten edhe më shumë.

Por, tejkalimin e kësaj situate, shton Selimaj, e shohin tek qytetarët e Kosovës në diasporë, të cilët vijnë në Kosovë dhe blejnë patundshmëri.

“Unë kam shpresë që në këtë vit do të jetë fluksi më i madh i diasporës. Për fat të keq, jemi të varur nga remitencat”, thotë ai.

Remitencat në Kosovë paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore. Në vitin e kaluar shuma e këtyre mjeteve kishte arritur deri afër 1 miliard euro.

Një pjesë e madhe e remitencave, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shkojnë për blerje të patundshmërive.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG