Kur të rritet vlera e pagës minimale në Kosovë autoritetet përgjegjëse duhet të rrisin edhe kontrollet në sektorin privat, për t’u siguruar se ai e zbaton vendimin, thonë profesorë të ekonomisë.
Ata thonë se rritja e pagës minimale është nevojë dhe domosdo, por tërheqin vërejtjen se rritja mund ta shtojë edhe punësimin joformal, si dhe të shkaktojë rritje të çmimeve.
Në mbledhjen e mbajtur më 13 prill, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 250 euro neto.
Paga minimale - e pandryshuar që nga viti 2011 - aktualisht është 130 euro për të punësuarit nën 35 vjeç dhe 170 euro për mbi 35-vjeçarët.
Për të hyrë në fuqi rritja, projektligji duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga rritja do të përfitojnë 300 mijë punëtorë.
Me projektligjin e ri, punëtorët që marrin pagë minimale do të lirohen edhe nga tatimi.
Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat.
Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh: me më shumë se 220 mijë punëtorë.
Profesori i Ekonomisë, Musa Limani, thotë se vlera e pagës minimale, me gjithë rritjen, do të jetë e pamjaftueshme për shportën mujore, në kohën kur inflacioni në Kosovë është në rritje.
Limani thotë se bizneset që përballen me probleme financiare ose kosto më të lartë të shpenzimeve, nuk do të mund të japin paga me rritje.
Sipas tij, ato mund t’i rrisin çmimet e produkteve ose shërbimeve, ose të mbajnë punëtorë pa kontrata.
- Gjysma e sektorit privat në Kosovë pa kontrata
- Më shumë inspektorë për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit të punës
“Me rritjen e pagës minimale do të rritet numri i punëtorëve pa kontrata, për arsye se disa biznese nuk kanë mundësi materiale të paguajnë punëtorin në vlerën e pagës minimale. Ky do të jetë një problem më vete... do të paraqitet punësimi latent ose i fshehur. Në anën tjetër, do të ketë edhe mungesë të punëtorëve, sepse asnjë punëtor nuk do të punojë më nën vlerën e pagës minimale”, thotë Limani për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës i ka mekanizmat e vet, siç janë inspektorët e tregut, që duhet t’i kontrollojë bizneset private.
Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skender Krasniqi, thotë se Qeveria duhet t’i ndihmojë bizneset për zbatimin e vendimit për rritje të pagës minimale.
Qeveria, thotë ai, mund të krijojë përkohësisht lehtësira fiskale, përkatësisht t’i lirojë bizneset nga pagesa e TVSH-së për disa artikuj, ose ta subvencionojë një pjesë të pagës minimale.
Bizneset në Kosovë janë ankuar për humbje të mëdha, për shkak të disa fazave të mbylljes që ua ka imponuar pandemia e koronavirusit.
“Në mënyrë që të mos rrezikohet largimi i punëtorëve dhe bizneset të mos kenë pasoja, Qeveria duhet t’i kategorizojë bizneset me gjendje më të rëndë financiare, për t’iu ofruar mbështetje. Në të kundërtën, do të rritet numri i punëtorëve pa kontrata pune, nuk do të paguhen obligimet në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe tatimi mbi pagën. Rrjedhimisht, do të ketë më pak të hyra në buxhetin e Kosovës”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha të mërkurën në një konferencë për media se vlera prej 250 eurosh e pagës minimale është e papranueshme. Sipas tij, ajo do të duhej të ishte së paku 400 euro.
“... sepse, në bazë të një analize të bërë, shporta mujore e një familjeje katëranëtarëshe në Kosovë kap vlerën e rreth 470 eurove”, tha ai.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, çmimet e produkteve në Kosovë, sikurse në vende të tjera të botës, kanë nisur të rriten qysh vitin e kaluar.
Rritja ka vazhduar edhe pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në muajin shkurt, pasi të dyja këto vende janë ndër eksportueset më të mëdha të grurit dhe produkteve të tjera.
Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin mars në Kosovë ka arritur në 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021.
Azemi, po ashtu, tha se tregu i Kosovës aktualisht ka “mungesë të theksuar” të fuqisë punëtore.
“Nga mungesa e fuqisë punëtore, shumë kompani private kanë filluar të mbyllen dhe kjo është situatë shqetësuese për vendin”, tha ai.
Përfaqësues të punëtorëve kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se pagat e ulëta, orari i stërzgjatur i punës, si dhe pasiguria në vendin e punës janë vetëm disa nga problemet që i largojnë punëtorët nga Kosova drejt vendeve evropiane.
Facebook Forum