Ligji për pagat i cili është miratuar më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës, në bazë të së cilit paga bazë është rritur për rreth 15 për qind, për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, mund të ngushtojë hapësirën për punësime të reja, thonë udhëheqës të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.
Drejtori i Zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermulen, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Ligji për pagat gjatë këtij viti, do të jetë i menaxhueshëm, pasi zbatimi i tij fillon në muajin nëntor. Por, ai e sheh problematik atë, prej vitit tjetër, pasi kostoja e zbatimit të këtij ligji është e lartë.
“Një vlerësim më konservator që supozon që më 2019-‘20 nuk do të ketë punësime të reja (në sektorin publik), sërish tregon se ndarja për paga do të jetë rreth 30 milionë euro më shumë sesa tavani i lejuar ligjor. Kjo do të pengojë rritjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës, që nevojiten për të zvogëluar papunësinë e lartë në Kosovë dhe hendekun e gjerë të të ardhurave me vendet në rajon dhe Bashkimin Evropian, përfshirë punësimet e reja në sektoret prioritare si gjyqësori, shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura, si dhe do të ndalojë aplikimin e primeve për sigurime shëndetësore".
Edhe ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë konsiderojnë se miratimi i Ligjit të Pagave do çrregullojë tregun e punës në Kosovë.
Ish kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Ismail Kastrati, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se rritja e pagave në sektorin publik do të rrisë nepotizmin dhe klientelizmin, kurse në sektorin privat do të humb mijëra vende të punës.
Ai thotë se miratimi i këtij ligji, ka ngarkuar buxhetin e Kosovës dhe ka krijuar një rrezik për mungesë të makro-stabilitetit buxhetor dhe financiar.
“Tashmë janë krijuar mundësitë që punësimi në sektorin publik të keqpërdor edhe më tepër, sepse për një pagë të madhe konkurrojnë më shumë veta. E ndërkaq një vend pune mund të fitojnë vetëm ata që kanë mundësi intervenimi te partitë politike apo strukturat në pushtet. Kështu që rritet nepotizmi dhe klientelizmi gjatë punësimit në sektorin publik”,tha Ismaili.
Kastrati thotë se rritja e pagave për punonjësit e sektorit publik do të humb rreth 10 mijë vende të reja të punës edhe në sektorin privat.
“Një pjesë e madhe e buxhetit, vlerësohet prej 30 deri në 100 milionë euro, në vend që të orientohet në stimulimin e sektorit privat, ka ndodhur e kundërta. Përveç se ka krijuar një hendek të pagave në mes sektorit publik dhe atij privat, nëse llogarisim që një vend pune kushton 10 mijë euro, atëherë shihet se rreth 10 mijë vende pune janë më pak, me rritjen e pagave në sektorin publik. Kështu që mendoj se efektet në përgjithësi të mëvonshme janë negative dhe në dëm të zhvillimit të sektorit privat”, tha Kastrati.
Gjatë hartimit të Ligjit për paga i cili parasheh koeficinetet e pagave për kategoritë buxhetore, pakënaqësitë sociale të shumë punëtorëve të sektorëve të ndryshëm publik kulmuan me greva.
Grevat që janë mbajtur në sistemin e arsimit, shëndetësisë dhe shërbyesve civil, u përdorën si mjet për t’i bërë trysni Qeverisë së Kosovës, që përmes Ligjit për paga të rrisë koeficientin, që rrjedhimisht nënkupton edhe rritjen e pagave.
E gjithë kjo pakënaqësi sociale, sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ishte nxitur nga një vendim i Qeverisë se Kosovës, në bazë të së cilit u rriten pagat për zyrtarë të lartë qeveritar, konkretisht kabinetit qeveritar gati qind për qind.