Ndërlidhjet

Rritet buxheti për shëndetësi


QKUK
QKUK

Qeveria e Kosovës ka parashikuar që për vitin 2018, buxheti për shëndetësi të rritet nga 180 në 200 milionë euro. Këtë e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Ministri Ismaili, tha për Radion Evropa e Lirë se rritja e buxhetit është paraparë të reflektojë në furnizimin më të mirë me barna nga lista esenciale, pastaj në punësimin e mjekëve dhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

Për herë të parë kemi ngritur buxhetin në nivelin më të lartë që e ka pasur ndonjëherë shëndetësia, duke shtuar edhe investimet kapitale dhe duke siguruar mjete për punësimin e mjekëve dhe infermierëve të rinj”, tha Ismaili.

E kemi shtuar buxhetin për barna esenciale, duke arritur në afër 10 milionë euro për këtë çështje. Me buxhet të ri kemi hapur një kapitull të ri në fillimin e reformave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Dhe mendoj se ndër vite do të rritet prapë buxheti, në mënyrë që sektori i shëndetësisë të jetë i financuar mirë dhe të mbajtur mirë”, tha tutje ministri Ismaili.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2018, i cili do të procedohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

Projektbuxheti, parasheh të hyra të përgjithshme në vlerën prej 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të kapin shifrën prej 2 miliardë e 82 milionë euro.

Rritjen e buxhetit për sektorin e shëndetësisë e shohin si shumë të nevojshëm edhe sindikalistët nga ky sektor. Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë tha se përkundër rritjes së buxhetit, shpreson që edhe parregullsitë, sidomos me barna, të luftohen dhe mënjanohen.

Unë e përshëndes rritjen e buxhetit në shëndetësi dhe shpresoj që rritja duhet të shkojë krahas reformave. Po shihet që ministri i ri, i cili së voni ka marrë këtë detyrë, ka filluar të punojë me hapa më të shpejtë. Mendoj se do të luftohen edhe parregullsitë që janë me rastin e blerjes së barnave. Krahas rritjes së buxhetit, mendoj se është paraparë edhe rritja e mirëqenies sociale”, thotë Syla.

Sidoqoftë, institucionet publike shëndetësore vazhdojnë të përballen me mungesë të madhe të pajisjeve të nevojshme për shërbime kualitative, mungesë barnash apo edhe të materialit shpenzues.

Buxheti për shëndetësi ndër vite nuk ka pasur rritje dhe kjo është potencuar si arsye pse shërbimet shëndetësore nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar.

Reformat në sistemin shëndetësor, me gjithë lëvizjet e bëra ndër vite, vlerësohet se nuk arritën që të zbatohen në masë të kënaqshme, kanë deklaruar zyrtarë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Kuadri specialistik mjekësor ndër vite ka vazhduar ikjen nga Kosova për të kërkuar punë dhe kushte më të mira e paga më të dinjitetshme në vende të ndryshme të botës.

Vetëm për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG