Eurodeputeti estonez nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Riho Terras, pritet të emërohet raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Për emërimin e tij në këtë post duhet të pajohet grupi i PPE-së në Komisionin për politikë të jashtme. Por, burime të Radios Evropa e Lirë në PE thanë se Terras pritet të emërohet nga ky grup.
Më herët, grupet politike në PE ishin pajtuar që të ndajnë mes vete postet e raportuesve për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Tani i takon secilit grup që nga radhët e veta të emërojë një raportues për shtetin përkatës.
Grupit të PPE-së kësaj radhe i takon posti i raportuesit për Kosovën. Tradicionalisht, në 20 vjetët e fundit raportuesi për Kosovën gjithmonë nga qenë nga radhët e Grupit të të Gjelbërve. Ky grup shënoi rënie të mbështetjes në zgjedhjet e fundit për PE të mbajtura më herët gjatë këtij viti dhe kësaj radhe ky grup do të ketë postin e raportuesit për Maqedoninë e Veriut.
Riho Terras është ish-ushtarak nga Estonia, i cili ka qenë deputet edhe në përbërjen paraprake të Parlamentit Evropian.
Raportues për Serbinë në PE do të jetë deputeti socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Picula. Ai veçse e ka bërë publike emërimin e tij në këtë post.
Ndërkaq, për Shqipërinë, raportues pritet të jetë Andreas Schieder nga socialdemokratët. Për Maqedoninë e Veriut pritet të jetë deputeti i të Gjelbërve, Thomas Waitz, nga Austria si dhe deputeti liberal nga Sllovenia, Marjan Sharec, pritet të jetë raportues për Malin e Zi.
Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm për Bosnjë e Hercegovinën nuk dihet se kush do të jetë raportues në PE.
Raportuesit e rinj për pesë vjetët e ardhshëm do të ndjekin nga afër zhvillimet në vendet përkatëse dhe do të përpilojnë raportet vjetore. Përmes këtyre raporteve do të vlerësohet përparimi i këtyre shteteve në procesin e reformave dhe përmbushjes së kritereve për integrim në BE.