Ndërlidhjet

Republika Sërpska miraton ligjin që e bën shpifjen vepër penale


Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë.
Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë.

Parlamenti i Republikës Sërpska – entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë – e ka miratuar sërish ligjin që e kriminalizon shpifjen, dhe i cili, sipas kritikëve, do ta kufizojë lirinë e shprehjes dhe do t’i heshtë kritikët e medias.

Ligjvënësit e kanë miratuar ligjin me 47 vota për dhe 16 kundër.

Kuvendi që funksionon në këtë pjesë të Bosnjës i ka 83 ligjvënës, mirëpo jo të gjithë kanë marrë pjesë në seancë.

Ligji është shtyrë përpara nga presidenti pro-rus i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për politikat e tij përçarëse.

Ligji i ri e ndryshon ligjin aktual, për t’i rikthyer gjobat në deri 60.000 euro për shpifje.

Kjo shumë është përtej asaj që mund ta përballojnë banorët e Bosnje-Hercegovinës.

Ligji paraprak nuk e ka konsideruar shpifjen si shkelje penale.

Ambasada amerikane në Sarajevë ka reaguar pas miratimit të ligjit, duke thënë se ai e kërcënon aftësinë e qytetarëve për të folur lirshëm, mundësinë e mediave të pavarura që të raportojnë për të vërtetën, e rrezikon demokracinë dhe të ardhmen euro-atlantike të Bosnjës.

“Ata që e kanë hartuar dhe mbështetur këtë legjislacion shtypës e kanë çuar Republikën Sërpska një hap më poshtë në rrugën drejt autoritarizmit. Ky legjislacion jodemokratik shërben vetëm për përfitim të koalicionit qeverisës që ta rrisë pushtetin dhe t’i shmanget llogaridhënies, si dhe i dëmton interesat e tyre që jetojnë në Republikën Sërpska”.

Organizatat e gazetarëve në Republikën Sërpska, dhe organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, kanë thënë se ligji i ri nuk duhet të miratohet, mirëpo Dodik nuk i ka dëgjuar kërkesat e tyre.

“Me miratimin e sotëm të ndryshimeve në Ligjin Penal, autoritetet e Republikës Sërpska kanë hyrë në një fazë të re të shtypjes së hapur të qytetarëve dhe u janë bashkuar regjimeve më të këqija autoriteteve në këtë pjesë të botës”, ka thënë organizata Transparency International.

Gazetarët serbë në Bosnje i kanë mbajtur disa protesta kundër këtyre ndryshimeve.

Dodik dhe partia e tij, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur, ka tentuar që disa kohë ta shtrëngojë pushtetin në Republikën Sërpska.

Ky entitet, bashkë me dy entitet tjera, të boshnjakëve dhe kroatëve, janë krijuar pas luftës së viteve 1992-1995, që i ka lënë 100.000 persona të vdekur.

XS
SM
MD
LG