Ndërlidhjet

Rriten remitencat nga diaspora


Ilustrim.
Ilustrim.

Trendi i dërgesave të parave nga diaspora kosovare apo remitencave ka shënuar rritje viteve të fundit. Paratë e mërgimtarëve dërguar në Kosovë, vitin e kaluar kanë tejkaluar vlerën prej 800 milionë euro, duke shënuar vlerën më të lartë që nga viti 2004, kur remitencat kishte arritur në 357 milionë euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, publikuar në vjetarin e Kosovës për vitin 2019, vërehet se që nga viti 2014, ka qenë gjithnjë në rritje trendi i dërgesave të qytetarëve nga Kosova që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.

Vetëm gjatë nëntë vjetëve të fundit, që përfshinë periudhën 2009 – 2018, vlera e remitencave përmes kanaleve bankare në Kosovë ka qenë mbi 6 miliardë euro.

Remitencat në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat dërgohen rreth 40 për qind, përkatësisht mbi 22 për qind të gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë.

Një pjesë e konsiderueshme e remitencave është pranuar edhe nga SHBA-ja, gjegjësisht 7 për qind e vlerës së përgjithshme.

Merita, jeton dhe punon në Gjermani. Ajo tregon se pushimet e verës i kalon çdoherë në Kosovë te familja e saj, të cilës, siç thotë ajo, çdo muaj dërgon një shumë të parave.

“Unë me familje çdo herë dërgojmë para në Kosovë, përafërsisht në muaj i dërgojmë nga 300 euro. Ato para familja i shpenzon për ushqim, veshmbathje e gjëra elementare. Tani që jam këtu në Kosovë, unë i shpenzoj deri në tre mijë euro për dy apo tre javë sa do të qëndrojë këtu”, thotë ajo.

Shuma e dërgesave nga diaspora brenda një viti konsiderohet se është edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve besohet se hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Ndërsa sa i përket rritjes së vlerës së remitencave, Naim Gashi ekspert për çështje ekonomike, për Radion Evropa e Lirë thotë se vala e re e migrimit viteve të fundit a ka rritur edhe nivelin e remitencave.

“Shumica prej tyre kanë një pjesë të familjeve këtu në Kosovë dhe janë shumë të lidhur, krahasuar me ata që kanë migruar para 20 vjetësh, kur në Kosovë u kanë mbetur prindërit ose anëtaret jo të ngushtë të familjes. Do të thotë sa më të rinj janë migrantët, aq më të mëdha janë remitencat dhe kjo ka ndodhur edhe në dy vjetët e fundit në Kosovë”, tha Gashi.

Ai thotë po ashtu se është me rëndësi në këtë drejtim që të ndodhë edhe ndërrimi i destinimit të shpenzimeve të këtyre mjeteve. Sipas tij, duhet të gjenden forma që mjetet të shpenzohen për iniciativa të biznesit, të cilat reduktojnë shkallën e lartë të papunësisë në vend, dhe jo gjithmonë të shpenzohen për konsum dhe patundshmëri.

“Do duhej që këto investime të kanalizoheshin ose të orientoheshin në investime të drejtpërdrejta, për krijimin e vendeve të reja të punës edhe për familjarët e atyre që janë nga diaspora këtu në Kosovë, por edhe për të gjeneruar fitim për vetën e tyre”.

“Natyrisht që klima e të bërit biznes në Kosovë dhe emigracioni shumë i madh i të rinjve ka krijuar vështirësi në treg dhe po vështirëson gjithnjë e më tepër edhe shndërrimin e këtij konsumi në investime”, shprehet Gashi.

Por, sipas të dhënave Agjencisë se Statistikave të Kosovës, vetëm vitin e kaluar, rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës, kanë emigruar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Kurse përgjatë viteve 2013 - 2017, nga Kosova, sipas të dhënave zyrtare kanë emigruara më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil.

Bazuar në shënimet zyrtare, janë mes 700- 800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG