Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendimi për reciprocitet ndaj Serbisë, sa u përket targave të automjeteve, nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt.
Kurti priti të martën në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it, përkatësisht SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë, si dhe shefin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura, ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajnë ato lloje targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato - edhe Kosova edhe Serbia”, tha Kurti në takim.
Në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij nuk bëhet e ditur për qëndrimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Në takim mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se policët e Kosovës janë “në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë”.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.
Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.
Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës - ku popullsia është shumicë serbe - janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.
Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.