Familjarët e personave pozitivë me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, të cilët janë të shtrirë në klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë të obliguar t’i furnizojnë me medikamente familjarët e tyre, për shkak se në këtë institucion mungojnë disa barna.
Ndonëse konsiderohen që këta familjarë janë raste kontakti me të infektuarit me koronavirus dhe sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës do të duhej të vetizoloheshin, po ndodh e kundërta.
Njëra prej tyre është Sazie Baraliu, e cila çdo të dytën apo tretën ditë e viziton bashkëshortin brenda Klinikës Infektive, ku ai po trajtohet. Ajo këto vizita i bën sepse duhet t’i blejë barnat që i kërkojnë infektologët për trajtimin e bashkëshortit të saj.
“Këtu e kam shokun (bashkëshortin) tash e dhjetë ditë në Klinikën Infektive. Për çdo ditë jo, por kam ardhur çdo dy – tre ditë, i kam sjell rrobe, por është dashur të blej edhe barna si gjilpëra sirup për koll, por edhe medikamente të tjera. Por, po duhet patjetër edhe të shërbej se nuk po ka kush tjetër", tha ajo.
Profesionistët shëndetësorë brenda klinikave, thonë se herë pas herë ka mungesë të barnave. Kjo për shkak se pacientët me COVID-19, që janë duke u trajtuar brenda QKUK-së, kanë edhe sëmundje tjera shoqëruese dhe rrjedhimisht përdorin barna të caktuara, e që brenda klinikave ndodh që mos t’i kenë.
Në Klinikën Infektive, infektologu Sali Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë se sa i përket barnave të listës esenciale, por edhe barnave që tashmë po trajtohen pacientët me COVID-19, i posedojnë shumicën prej tyre në klinikë. Por, ai shton se ka mungesë të kohëpaskohshme të disa ilaçeve dhe ndodh që të mbeten pa to, deri në furnizimin e radhës, për dy ose tre ditë.
“Ndonjëherë ndonjë ilaç, për shkak të sëmundjeve shoqëruese, duhet ta blejnë pacientët, por kryesisht barnat esenciale i kemi në klinikë. Ndodh një ditë, dy, të kemi vonesë për shkak se ne ndonjëherë duhet t’i ndërrojmë barnat për shkaqe shëndetësore, varësisht prej sëmundjes klinike. Por, unë nuk besoj se familjarët vijnë në vizita për shkak të blerjes së barnave’’, tha Ahmeti.
Valbon Krasniqi, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, tha se në asnjë mënyrë nuk arsyetohet defilimi i familjarëve të pacientëve që janë pozitivë me COVID-19. Megjithëkëtë ai pranon se mungesë të barnave mund të ketë kohë pas kohe, por që ka mënyra të tjera që pacienti të vjen deri te barnat.
Por, Krasniqi shton se në vazhdimësi familjarët kanë insistuar dhe kanë gjetur mënyra që të futen në dhomat e personave që janë të infektuar me koronavirus.
“Sa i përket ardhjes së familjarëve nëpër klinikat ku i kanë familjarët COVID pozitivë, ne kemi kërkuar edhe asistimin e Policisë së Kosovës. Në lidhje me mungesat e barnave të caktuara, kohë pas kohe që mund të paraqiten, e që ato janë kryesisht barna të sëmundjeve kronike ose shoqëruese që i kanë. Megjithëkëtë, familjarët mund t’i sjellin dhe infermieret t’i marrin ato. Pacientët mund të jenë të shtrirë në ditët e para, dhe ndodh që barnat nuk i marrin me vete. Megjithatë nuk arsyetohen assesi defilimi i pacientëve nëpër klinika ku trajtohen pacientët me COVID-19”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, Faik Hoti zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, bëri të ditur se sa i përket terapisë mbështetëse që janë trajtuar pacientët me COVID-19, furnizimi pothuajse gjatë tërë kohës ka qenë stabil. Për barna të tjera, për sëmundje shoqëruese të caktuara që kanë pacientët, ndodh të mos i kenë në klinikë.
“Çështja e menaxhimit klinik të rasteve është e rregulluar me protokoll të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Qendrës Evropiane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjes. Pra është e ndaluar vizita te pacientët me COVID-19. Në Kosovë ka edhe qytetarë të atillë që sakrifikojnë për të qenë afër familjarëve të tyre, por për aq sa kemi informacion menaxhmenti i SHSKUK-së dhe i klinikave ku ka pacientë të shtrirë po e bëjnë të pamundur të shmangin kontaktet e familjarëve të personave që janë pozitivë me COVID-19. Ndonëse furnizimi me barna është stabil dhe i qëndrueshëm, ndonjë mungesë eventuale duhet të bëhet në mënyrë të sigurt. Jo familjari të futet brenda”, tha ai.
Por, Rukije Mehmeti, drejtoreshë e Klinikës së Pulmologjisë brenda QKUK-së, thotë se familjarët e personave të prekur me COVID-19, vazhdimisht janë duke i shoqëruar të sëmurët edhe brenda dhomave ku ata po trajtohen.
“Ky është një arsyetim se duhet të ju blejnë barna dhe duhet të hyjnë brenda. Është e vërtetë që ka nevojë ndonjëherë për barna, por infermierja del jashtë dhe i merr. Por, vetë familjarët na ofendojnë, na shtyjnë dhe me dhunë dëshirojnë të hyjnë brenda. Tash kemi kërkuar përforcim nga policia dhe asnjë familjarë nuk guxon të hyjë brenda. Aktualisht po rrinë nëpër dhoma, dalin bashkë jashtë. Ne përmes sigurimit po i qesim jashtë, por po e gjejnë mënyrën dhe po hyjnë prapë”, tha Mehmeti.
Deri më 16 korrik, në Kosovë janë regjistruar 5,472 raste me koronavirus. Prej tyre, 124 persona kanë vdekur dhe 2,640 pacientë janë shëruar.