Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë më 22 korrik se Uashingtoni beson që Rusia është duke u përballur me qindra viktima çdo ditë, teksa zhvillon luftën në Ukrainë, dhe se ka humbur mijëra togerë dhe kapitenë, prej nisjes së pushtimit.
Përveç togerëve dhe kapitenëve, qindra kolonelë dhe “shumë” gjeneralë rusë janë vrarë po ashtu, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar këtë zyrtar.
“Zinxhiri i komandës ka ende probleme”, ka thënë ky zyrtar.
Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) William Burns, ka thënë më 20 korrik se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se numri i viktimave ruse në Ukrainë, pas gati pesë muajve, ka arritur në rreth 15.000 të vrarë dhe gati 45.000 të plagosur, duke shtuar se edhe forcat e armatosura ukrainase janë përballur me humbje të konsiderueshme.
Rusia klasifikon vdekjet ushtarake si sekrete shtetërore dhe nuk i ka përditësuar shifrat shpesh gjatë luftës.
Më 25 mars, Rusia ka thënë se 1,351 ushtarë të saj janë vrarë.
Qeveria ukrainase ka thënë muajin e kaluar se 100 deri në 200 trupa ukrainase janë duke u vrarë brenda ditës.
Ky zyrtar amerikan ka thënë po ashtu se Uashingtoni beson se Ukraina ka shkatërruar më shumë se 100 shënjestra të vlefshme ruse brenda Ukrainës, përfshirë zona të komandës, depo municioni dhe zona për mbrojtje ajrore.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë në vlerë të 8 miliardë dollarëve për Ukrainën qëkur ka nisur lufta, duke përfshirë 2.2 miliardë dollarë muajin e kaluar.
Më herët gjatë javës, Pentagoni ka thënë se do t’i dërgojë Ukrainës katër sisteme shtesë HIMARS.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.