Ndërlidhjet

Raportohet se qindra ushtarë rusë po trajtohen në spitalet e Koresë së Veriut


Pamje e shkrepur prej një videoje të publikuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në llogarinë e tij në Telegram, në muajin janar.
Pamje e shkrepur prej një videoje të publikuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në llogarinë e tij në Telegram, në muajin janar.

Qindra ushtarë rusë janë duke u trajtuar në spitale të Koresë së Veriut, ka thënë një diplomat rus, duke shpërfaqur një tjetër nivel të bashkëpunimit që ka Moska me Phenianin për luftën në Ukrainë.

Në një intervistë për gazetën shtetërore ruse, Rossisskaya, ambasadori rus në Korenë e Veriut, Aleksandr Matsegora, ka ofruar pak hollësi se sa rusë janë të hospitalizuar në Korenë e Veriut, dhe as nuk ka ofruar të dhëna për të vdekurit.

“Shembull i qartë i qasjes vëllazërore [në mes të Moskës dhe Phenianit] është edhe rehabilitimi i qindra ushtarëve të plagosur [në luftën në Ukrainë] në spitalet koreane”, është cituar të ketë thënë ai.

Moska ka kërkuar ndihmën e Koresë së Veriut për luftën në Ukrainë, pothuajse gjashtë muaj pas nisjes së saj, në shkurt të vitit 2022.

Inteligjenca perëndimore ka thënë se Rusia është duke blerë miliona predha prej Koresë së Veriut – dhe këto raportime mbështeten nga imazhet satelitore që tregojnë nisjen e rindërtimit të kantiereve hekurudhore, urave hekurudhore dhe objekteve tjera mobile në kufirin e tyre të përbashkët në brigjet e Paqësorit.

Në vjeshtën e vitit të kaluar, ushtarët e Koresë së Veriut janë parë në fushëbetejë në kufirin rus, kryesisht në rajonin Kursk, të cilin e ka pushtuar Ukraina në gusht të vitit të kaluar.

Në nëntor, presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri koreanoverior, Kim Jong Un, kanë nënshkruar traktat për bashkëpunim strategjik, duke thelluar lidhjet e tyre ekonomike dhe politike.

Zyrtarët perëndimorë dhe ata ukrainas kanë thënë se mes 10.000 deri në 12.000 ushtarë koreanoveriorë janë të angazhuar në rajonin Kursk, ndërsa trupat ukrainase kanë kapur të burgosur, por që shifra e saktë nuk dihet.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas kanë raportuar muajin e kaluar se trupat koreanoveriore janë zhdukur prej fushëbetejës në Kursk, për shkak të numrit të madh të viktimave. Aktualisht është e paqartë nëse është tërhequr i gjithë kontingjenti, apo do të rikthehet me furnizime të reja.

Përgjatë intervistës, Matsegora ka thënë se Rusia është duke ofruar thëngjill, ushqime dhe pajisje shëndetësore për Korenë e Veriut, dhe që disa fëmijë të ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë, janë dërguar në Korenë e Veriut për pushime.

Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se prej nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia është përballur me mbi 700.000 viktima.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG