Ndërlidhjet

Kursimi i rrymës: Për shkak të faturave apo pse e rekomandon Qeveria?


Fotografi ilustruse nga arkivi.
Fotografi ilustruse nga arkivi.

Disa qytetarë në Shkup thonë se përpiqen ta kursejnë rrymën, sepse faturat e rrymës janë gjithnjë e më të larta, dhe jo sepse këtë gjë ua rekomandon Qeveria.

Ditë më parë, Qeveria maqedonase ka miratuar një pako masash për të reduktuar konsumin e energjisë elektrike.

Masat e Qeverisë do të hyjnë në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasin deri më 31 mars të vitit 2023, ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Në mesin e këtyre masave përfshihet ndërprerja e ndriçimit dekorativ të fasadave në institucione dhe në monumentet kulturore, shkyçja e dritave, kompjuterëve dhe të gjitha pajisjeve elektronike, sapo të largohen të punësuarit nga ndërtesat.

Po ashtu parashihet që kondicionerët të lëshohen në deri 27 gradë gjatë verës dhe jo më shumë se 20 gradë gjatë dimrit.

Përderisa institucionet obligohen të kursejnë, amvisërive dhe kompanive private u është rekomanduar që të ulin shpenzimet e energjisë elektrike prej 16 gushtit, kur edhe janë miratuar masat.

Rekomandimi nënkupton përdorim sa më të paktë të ashensorëve, ndriçim të ambienteve vetëm ku jetojnë familjet dhe që të mos lëshohen njëkohësisht shumë pajisje elektronike.

“Unë, edhe po mos të ishin rekomandimet e Qeverisë, do ta bëja të njëjtën gjë, do të kurseja. Bojlerin e lëshoj të nxehet nga ora 22:00. Lavatriçen e lëshoj të dielave dhe sërish nën 10 mijë denarë (160 euro) nuk më vjen fatura. Çka do të bëhet, nuk e di”, thotë Boge Nikollovki nga Shkupi.

Naseri thotë se përpiqet të shfrytëzojë rrymën maksimalisht gjatë natës, kur tarifa është me çmim të ulët, por shton se ka kursyer gjithmonë.

“Jemi munduar që ta respektojmë orarin kur çmimet e energjisë elektrike janë më të ulëta, edhe pse nuk mendoj se kjo gjë ul dukshëm faturat. Kursimi duhet të jetë në vazhdimësi, gjatë tërë ditës”, thotë Naseri.

Për Lila Oto-n, masat e Qeverisë janë të pakuptimta.

“Po unë jam grua në moshë, si mund të qëndroj pa kondicioner në temperaturë 40 gradë Celsius. Kursej aq sa mund të kursehet. Nuk mund të qëndroj natën vonë për të gatuar gjellën që do ta ha të nesërmen”, thotë Lila Oto, mbi 70-vjeçe.

Edhe Nestori, pensionist, ndan këtë mendim.

“Të shkojmë në këmbë deri në katin e tetë , a ka logjikë kjo?” pyet ai.

“Rryma është si dielli. Çka të bëj tani, të ndez vetëm një dritë në tërë banesën? Apo të ngjitem në katin e katërt pa ashensor? Kjo s`ka logjikë. Rryma mund të kursehet pak, dhe jo siç na thotë Qeveria”, thotë një qytetar tjetër.

Qeveria synon që përmes masave të reja të ulë konsumin e energjisë elektrikes për 15 për qind në krahasim me muajt e njëjtë të vitit të kaluar.

Autoritetet kanë paralajmëruar sanksione për autoritetet që nuk respektojnë masat e reja.

Ekspertët e energjetikës janë shprehur skeptikë se masat e Qeverisë do të prodhojnë efektin e pritur.

Konstadin Dimitrov, ekspert i energjetikës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, Qeveria është dashur të ndërmarrë masa për të rritur kapacitetin e prodhimit të energjisë elektrike në nivel të shtetit, pasi përmes kursimeve shumë pak mund të kontribuohet në stabilitetin e krizës energjetike.

“Qytetarët tashmë kanë kaluar çdo kufi të kursimit. Të gjithë, edhe unë harxhoj rrymë gjatë natës, pasi faturat vijnë gjithnjë e më të larta. Pra të gjithë përdorim bojlerin, pjatalarësen, fshesën elektrike gjatë orëve të natës. Këto gjëra mësohen që në kopsht se duhet kursyer rryma, se duhet fikur drita sapo të dalësh nga hapësira ku s`ka njerëz. Me këshillat e këtilla të Qeverisë nuk dalim dot nga kriza energjetike”, thotë Dimitrov, i cili ka ligjëruar në Fakultetin e Elektroteknikës në Shkup.

Sipas tij, në këtë situatë është me rëndësi që t’iu lejohet amvisërive të prodhojnë rrymë pa kufizime, madje edhe të zbatohen praktikat e vendeve evropiane që japin kredi pa interes për familjet që investojnë në prodhimin e rrymës.

“Të paktën 1.000 - 2.000 familje janë të gatshme që menjëherë të investojnë në prodhimin e rrymës për nevojat e veta, dhe tepricën ta shesin, kjo do ta zbarkonte rrjetin e furnizimit në masë të theksuar”, thotë Dimitrov.

Se qytetarët e Maqedonisë së Veriut kursejnë rrymën flasin dhe të dhënat e vitit 2019 të Administratës amerikane për Informacione Energjetike.

Sipas tyre, Maqedonia e Veriut harxhon rrymë për kokë banori katër herë më pak sesa Finlanda, tre herë më pak sesa Suedia dhe dyfish më pak se Austria e Sllovenia.

Çmimet e energjisë janë rritur në nivel global, sidomos pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Rusia, ndër eksportueset më të mëdha të energjisë në botë, ka zvogëluar furnizimet me gaz në Evropë, duke rritur shqetësimet për dimër të vështirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG