Një numër i madh i institucioneve shtetërore në Ukrainë u evakuuan më 14 tetor, pasi qindra shkolla, biznese, ambasada dhe media pranuan emaile kërcënuese për një sulm terrorist.
Autoritetet inspektuan shkolla, biznese, hotele, ambasada dhe organizata të mediave – përfshirë Radion Evropa e Lirë (REL) – të cilat pranuan email kërcënues se në objektet e tyre ishin kurdisur mjete shpërthyese.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se 60 prej misioneve të saj jashtë vendit e kanë pranuar emailin kërcënues, një pjesë e të cilave i ndërprenë shërbimet konsullore.
Emaili kërcënues i përmend emrat e gazetareve të REL-it, Iryna Sysak dhe Valeria Yehoshyna, si dhe të gazetares së pavarur Yulia Khymeryk. Dërguesit e emailit duket se e fajësojnë punën e tyre për nxitjen e tyre për t’i kurdisur bombat e dyshuara, megjithëse ata nuk përmendin ndonjë aktivitet specifik të tyre.
Kjo ndodhi pas një hulumtimi të publikuar nga tri gazetaret e ekipit hulumtues Skemat të Shërbimit ukrainas të REL-it, i cili shfaqi se si shërbimet e inteligjencës ruse i rekrutojnë ukrainasit, përfshirë të miturit, për t’i djegur veturat e personelit ushtarak të Ukrainës dhe të përfaqësuesve të qendrat të rekrutimit.
Përfaqësuesit e Policisë Kombëtare të Ukrainës të cilët i kontrolluan lokacionet – përfshirë zyrën e REL-it në Kiev – thanë më 14 tetor se nuk kanë gjetur asnjë mjet shpërthyes pasi i kishin kontrolluar 60 për qind të lokacioneve të kërcënuara, por e vazhduan kërkimin.
Mesazhi u dërgua nga një person që u identifikua si përfaqësues i një “grupi terrorist “, emri i të cilit i përshtatet atij të një kanali kundër Ukrainës në Telegram, i cili përhap thirrjet për djegien e veturave të personelit ushtarak ukrainas dhe përfaqësuesve të qendrave të rekrutimit.
REL-i nuk dëshiron ta zbulojë emrin e dërguesit apo grupit për arsye etike dhe sigurie.
Pasi pranuan emailin kërcënues, Skemat gjithashtu gjetën se një person me emrin e njëjtë si të dërguesit të emialit kërcënues jeton në Krimenë e okupuar nga Rusia dhe ka pasaportë ruse.
Presidenti i REL-it, Stephen Capus, tha se REL-i është i vetëdijshëm se gazetaret e tij janë përmendur në emailin kërcënues.
“Ne nuk do të frikësohemi dhe do t’i mbështesim reporterët tanë, të cilët vazhdojnë të sjellin lajme për audiencën ukrainase pa frikë apo favore”, tha Capus, duke u zotuar se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet në hetimin e tyre.
Sipas Skemave, grupi që e mori përgjegjësinë për kurdisjen e dyshuar të mjeteve shpërthyese përhap mesazhe vazhdimisht në rrjetet sociale, duke bërë thirrje për djegien e automjeteve ushtarake ukrainase. Ata ofronin 100 dollarë për ata që pajtoheshin të merrnin pjesë.
Artem Dekhtyarenko, zëdhënës i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) tha se Rusia po përpiqet ta bëjë këtë të duket sikur zjarrvënie të qëllimshme nga ukrainasit e zakonshëm, kur në fakt sulmet janë duke u nxitur nga vetë shërbimet ruse të sigurisë.