Nisur nga fakti se lista e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë ka fituar mbi 50 për qind të votave, qytetarët kanë pasur pritje të mëdha nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti, thonë disa të anketuar në Prishtinë.
Por, një vit pas nisjes së punës së Qeverisë Kurti, ata thonë se nuk kanë parë ndryshime pozitive në jetën e tyre.
Qeveria aktuale e Kosovës është formuar më 22 mars të vitit të kaluar, duke pasuar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat Vetëvendosja e Kurtit ka dalë e para.
Qytetarët e anketuar thonë se kushtet ekonomike janë më të rënda se një vit më parë, marrë parasysh edhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë.
“Kaos” me konkurset publike
Drita Nuredini, infermiere, thotë se në kohën kur pandemia e koronavirusit mori hov në Kosovë, vitin e kaluar, Qeveria kërkoi angazhim të stafit shtesë mjekësor, përfshirë infermierët.
Ajo thotë se i është përgjigjur thirrjes së Qeverisë dhe se është punësuar si infermiere në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, tani kur situata e rëndë me pandeminë është tejkaluar, ajo thotë se ka ndryshuar edhe qasja e Qeverisë ndaj të punësuarve si ajo.
Nuredini thotë se me gjithë premtimet e Qeverisë se do të shtohet numri i të punësuarve, ajo ka marrë paralajmërimin se do të pushohet nga puna.
“Tash, kur nuk kanë nevojë, duhet të shkoj të rri në shtëpi. Unë në vendin tim duhet të rri amvise. Shteti im po më detyron të bëhem amvise ose po më detyron të largohem nga vendi im, pas moshës 50-vjeçare”, thotë Nuredini.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, kanë dhënë shifra të ndryshme për vendet e reja të punës.
Më 20 tetor të vitit 2021, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se që nga fillimi i punës së Qeverisë aktuale e deri në atë kohë, numri i të punësuarve është rritur me 9,300 persona.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti ka thënë se “vetëm me Pakon e Ringjalljes Ekonomike është arritur që të regjistrohen 10,000 vende të reja të punës. Mbase, disa nuk janë vende të reja [të punës], por formalizime”.
Më 31 dhjetor, ministri i Financave dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se nëse krahasohet muaji shtator i vitit 2021 me shtatorin e vitit 2020, “figurojnë mbi 25 mijë vende të punës më shumë”.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ende nuk i ka publikuar të dhënat për shkallën e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore, për nëntëmujorin e fundit të vitit 2021.
Rrjedhimisht, nuk ka ende të dhëna zyrtare nga kjo agjenci se sa ka qenë shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore, gjatë periudhës së qeverisjes së kryeministrit Kurti.
Për tremujorin e parë të vitit 2021, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore ka qenë 29.4 për qind, ndërsa për tërë vitin 2020 kjo shkallë e punësimit ka qenë 28.4 për qind.
Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, ka premtuar se në Qeverinë e tij do të synohet “një ekonomi që del nga pandemia dhe e shëruar edhe nga sëmundjet tjera” dhe se në ekonomi “do të ketë më shumë nevojë dhe hapësirë për gratë, për rininë, për mërgatën, për komunitetet, për fshatin, e sidomos për ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje prej shoqërisë dhe shtetit”.
Sokol Plakolli, regjisor, thotë se një nga premtimet e Kurtit ka qenë që në konkurset publike, përfshirë edhe ato në institucionet kulturore, nuk do të ketë manipulime.
“Në fakt ka ndodhur e kundërta. Është duke u bërë kaos. Kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me parullat ‘hajnat në burg’ dhe ‘nuk do të ketë korrupsion dhe dallavere në konkurset publike”. Realisht, nuk po i çojnë hajnat e vërtetë në burg, por po i çojnë disa maskota të tyre dhe kjo po bëhet në njëfarë mënyre spektakolare. Nuk mund të jenë fajtorë 50 veta. Le t’i gjykojnë dhe pastaj të tregojnë se cilët janë fajtorë dhe të mos bëjnë spektakle. Më shumë ka zhurmë, pra më shumë ka tym se flakë dhe kjo na shqetëson”, thotë Plakolli.
Kohë e shkurtër për përmbushjen e premtimeve?
Në majin e vitit të kaluar, kryeministri Kurti, gjatë shpalosjes së programit qeverisës për katër vjetët e ardhshëm, ka folur për ndryshimet që Qeveria synon t’i bëjë në sektorin e edukimit.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se në shkolla do të punësohen “400 pedagogë e psikologë”.
Ky synim i shprehur i Qeverisë, sipas Antigona Ymerit, e cila ka përfunduar studimet për psikologji, ende nuk është përmbushur.
“E di që është premtuar dhe është folur se do të bëhet çdo shkollë me psikologë dhe se fëmijët me nevoja të veçanta do të kenë asistentë. Por, kjo nuk është bërë ende. Po mbaj praktika të ndryshme dhe po shoh se shumë shkolla kanë nevojë për psikolog. Ndodh që i njëjti psikolog punon në dy shkolla, ndërkaq ka shumë psikologë të diplomuar që ende nuk janë punësuar askund”, thotë Ymeri.
Avdi Gjonbalaj, pensionist, thotë se ekzekutivi aktual nuk ka mundur të bëjë shumë gjatë një viti të qeverisjes.
“Unë njësoj jetoj, sikurse para një viti. Unë vetëm kam pritur që do ta kthejnë pak për së mbari. Përndryshe, për të bërë kthesa të mëdha, është e pamundur në kohë të shkurtër”, thotë ai.
Serbët në veri: Jetojmë njëjtë
Kryeministri Kurti, gjatë fushatës zgjedhore para më shumë se një viti, ka thënë se vendosja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë do të jetë ndër gjërat e para që do t’i bëjë Qeveria e tij.
Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka futur në fuqi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë për targat e automjeteve - gjë që ka shkaktuar revoltën e disa banorëve serbë, kryesisht në veri të Kosovës. Në tetor të atij viti është arritur marrëveshja me palën serbe që shoferët e të dyja vendeve t’i mbulojnë me letër ngjitëse simbolet shtetërore në targat e automjeteve, gjatë qarkullimit në territoret përkatëse.
Por, Lubisha Petroviq, tregtar nga Mitrovica e Veriut, thotë se qytetarët gjithmonë presin nga secila qeveri që t’iu ofrojë mirëqenie më të madhe.
“Kjo Qeveri dha madje edhe më pak, të themi, lidhur me shenjat në targa, pritjet nëpër pikat kufitare dhe të tjera. Nga përfaqësuesit serbë në Qeveri nuk pres se mund të ndikojnë në diçka, sepse janë pakicë. Janë të njëjtit përfaqësues, të cilët kanë qenë edhe më parë”, thotë Petroviq.
Maja Dimitrijeviq, amvise nga Mitrovica e Veriut, thotë se nuk ka pritur asgjë nga Qeveria e Albin Kurtit.
“Jetojmë njëjtë, sikurse edhe para Qeverisë së Kurtit. Është tërësisht njëjtë. Nuk kam pasur kurrfarë pritjesh. Jetoj njëjtë, pa punë dhe pa asgjë. Kështu që jetoj njëjtë sikurse para 20 vjetësh, ashtu edhe sot”, thotë Dimitrijeviq.
“Keq për ata, keq për ne”
Serbët nga Graçanica, afër Prishtinës - të paktën ata që duan të flasin publikisht - thonë se nuk janë të kënaqur me punën e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, sepse, sipas tyre, nuk është bërë asgjë për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Jasmina shprehet e pakënaqur për shkak të papunësisë, e cila, siç thotë ajo, po rritet çdo vit, ndërsa Qeveria aktuale nuk po merr asnjë masë.
“Nuk punojmë as unë, as bashkëshorti dhe si mund të jetë mirë? Është gjithmonë njësoj”, thotë Jasmina dhe shton se nuk është e kënaqur as me punën e përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës.
Përfaqësuesit e komunitetit serb i kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës, i cili në total ka 120 deputetë. Dhjetë ulëset e tjera të garantuara u takojnë komuniteteve të tjera.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë ka përsëritur se dialogu i Qeverisë së Kosovës me serbët vendorë ,është më i rëndësishëm sesa dialogu me Serbinë.
Por, deri më tash, një dialog i tillë me serbët vendorë nuk ka ndodhur - të paktën jo zyrtarisht.
Sërgjani, po ashtu nga Graçanica, thotë se “asgjë nuk është e mirë, as për ta dhe as për ne”, duke aluduar në shqiptarët dhe serbët e Kosovës.
Ai thotë se kryeministri Albin Kurti nuk ka bërë asgjë për t’u afruar me komunitetin serb në Kosovë.
Ai shton se ndihet si “qytetar i dorës së tretë” dhe se pushtetit aktual në Prishtinë nuk i intereson fare kjo.
“Nuk është vetëm për mua kështu, por njerëzit mendojnë kështu”, thotë Sërgjani.
Lëvizja Vetëvendosje, lider i së cilës është kryeministri aktual, Albin Kurti, ka fituar 50.28 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Kjo parti ka 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Facebook Forum