Ndërlidhjet

Qeveria e kundërshton vendimin e Supremes si "arbitrar dhe të njëanshëm"


Qeveria e Kosovës gjatë një mbledhjeje. (Fotografi nga arkivi)
Qeveria e Kosovës gjatë një mbledhjeje. (Fotografi nga arkivi)

Qeveria në detyrë e Kosovës tha të martën se ndihet e “shqetësuar” dhe se e kundërshton aktgjykimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e një udhëzimi të saj administrativ, si dhe vendimin se një ministër në detyrë nuk mund të nxjerrë akte nënligjore dhe udhëzime administrative pasi të jetë bërë deputet i Kuvendit.

Supremja e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar.

Në një reagim për media, Qeveri në detyrë e cilësoi si “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar” vendimin e Supremes për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë.

“Konkretisht, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është Udhëzimi Administrativ në fjalë”, tha Qeveria në detyrë.

Udhëzmi administrativ ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit.

Por, sipas Qeverisë së udhëhequr nga kryeminsitri në detyrë Albin Kurti, procedura për hartimin e këtij udhëzimi “kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur Qeveria gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, gjë që i jep këtij akti nënligjor legjitimitet të plotë proceduror dhe substancial”.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj”, tha ajo.

Në lidhje me vendimin e Supremes se një ministër në detyrë nuk mund të nxjerrë akte nënligjore dhe udhëzime administrative pasi të jetë bërë deputet i Kuvendit, Qeveria në detyrë tha se Gjykata Kushtetuese e Kosovës “lejon një gjë të tillë”, pasi Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Por, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha në një reagim në Facebook se Gjykata Supreme e “qartësoi përfundimisht” se ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Çdo vendim i marrë prej tyre pas 27 marsit është nul dhe bie ndesh me Kushtetutën, si dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Po ashtu, Gjykata konfirmoi se anëtarët e Qeverisë nuk mund të marrin vendime, sepse teknikisht Qeveria aktuale nuk ka më mandat për t’i miratuar ato”, tha ai.

Ligji për Qeverinë saktëson se një qeveri në detyrë nuk mund të tejkalojë autorizimet e saj të kufizuara dhe ndalon qartë ndërmarrjen e vendimeve madhore.

Qeveria në detyrë tha se ndaj këtij vendimi do t’i shfrytëzojë “mjetet juridike në dispozicion për të kthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike”.

Ndaj vendimeve të Supremes mund të bëhet ankesë vetëm për shkelje të mundshme kushtetuese në Gjykatën më të lartë të vendit, Gjykatën Kushtetuese.

Qëndroni me ne

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG