Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se “nuk do të mund të brengosej më pak”, për atë nëse qytetarët rusë kanë synuar të ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, duke insistuar se Kremlini nuk ka lidhje me këto përpjekje.
“Pse ju keni vendosur që autoritetet ruse, duke më përfshirë edhe mua, se i kemi dhënë dikujt leje për ta bërë një gjë të tillë?, ka pyetur Putin në një intervistë për transmetuesin NBC më 9 mars.
Këshilltari Special amerikan, Robert Mueller, muajin e kaluar ka paditur 13 rusë dhe tri kompani ruse duke i akuzuar për krijimin e fushatave në mediat sociale me qëllim të krijimit të përçarjeve politike në Shtetet e Bashkuara dhe për t’i ndihmuar Donald Trumpit për ta fituar presidencën.
“Çka nëse janë rusë?”, ka thënë Putin.
“Janë 146 milionë rusë. Prandaj çka…. Nuk më intereson. Nuk mund të brengosesha më pak. Ata nuk prezantojnë interesat e shtetit rus”, ka thënë ai.
Putin ka deklaruar se individët e paditur, “nuk punojnë për qeverinë” dhe ka shtuar se “ka mundësi që ndonjëri prej tyre të ketë punuar për ndonjërin nga kandidatët”.
I padituri më i njohur, Yevgeny Prigozhin, ka lidhje me Putinin dhe shtetin rus. Prigozhin është akuzuar për dërgimin e parave në një agjenci për studime në internet me bazë në Shën Petersburg, e cila po ashtu përmendet në padi.
Pavarësisht raportit prej 37 faqesh të Muellerit për paditë kundër rusëve, Putin ka thënë se ai nuk ka parë të dhëna se hapat e tyre kanë shkelur ligjin.
Ai është shprehur i bindur se nuk do të ekstradonte kurrë të dyshuarit drejt SHBA-së për t’u përballur me gjykim.
“Ne në Rusi nuk mund ta gjykojmë askënd përderisa nuk e kanë shkelur ligjin rus”, ka thënë ai.
Putin ka hedhur poshtë supozimet se Rusia ka synuar të ndërhyjë në zgjedhje pavarësisht përfundimeve të vitit të kaluar të agjencive amerikane të inteligjencës se ai personalisht ka drejtuar fushatën për një gjë të tillë.
“A mund të besojë dikush me të vërtetë se Rusia, mijëra kilometra larg, ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve? A nuk tingëllon kjo qesharake edhe për ju?, e ka pyetur Putin, intervistuesen e NBC-së, Megyn Kelly.
“Ndërhyrja nuk është qëllimi ynë. Nuk e shoh se mund të fitojmë diçka duke ndërhyrë”, ka thënë ai.
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë ardhur në përfundim në janar të vitit 2017 se duke synuar ndihmën për Trumpin, për të cilin kanë thënë se Kremlini ka treguar qartazi simpati, Rusia ka pasur qëllim shkatërrimin e të besuarit në sistemin zgjedhor amerikan dhe denigrimin e kandidates demokrate, Hillary Clinton.
Gjatë fushatës, Clinton pati thënë se ajo do të ishte e ashpër ndaj Rusisë për hapat e kësaj të fundit në Ukrainë dhe marrëdhënia e Putinit dhe ish-Sekretaren e Shtetit ka qenë disa herë në tension të qartë.
Derisa ishte duke u përgatitur për t’u bërë president më 2012, pas pozitës si kryeministër, Putin ka akuzuar Clintonin për nxitjen e protestave kundër qeverisë në Rusi.
Muajin e kaluar, shefat e inteligjencës amerikane ka thënë se përpjekjet ruse për të ndërhyrë në politikën amerikane përbëjnë kërcënim për zgjedhjet kongresionale që do të mbahen në muajin nëntor në SHBA.
Trump disa herë ka refuzuar të dënojë Rusinë për ndërhyrjen e supozuar dhe ka thënë se e admiron Putinin si lider të fuqishëm.
Putin ka thënë në intervistë se arsyeja se pse ka respekt për Trumpin është sepse ai e ka ditur që kur ka fitur pozitën në zyrë se duhet të zhvillonte “marrëdhënie bashkëpunuese” me Rusinë dhe se duhet ta trajtojë homologun e tij me respekt.
Sa i përket Rusisë, Putin ka thënë se ai nuk planifikon të ndryshojë kushtetutën e shtetit të tij për eliminuar kufizimet e mandatit të presidentit.
“Nuk e kam ndryshuar kurrë kushtetutën. Nuk kam plane të tilla sot”, ka thënë presidenti rus.