Presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar Perëndimin për arrogancë koloniale dhe ka thënë se sanksionet kundër shtetit të tij kanë dështuar.
Në një adresim para Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg më 17 qershor, në të cilin nuk ka qenë i pranishëm gati asnjë zyrtar perëndimor, Putin ka mbrojtur vendimin e tij për pushtim të Ukrainës, të cilin shumë zyrtarë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, e konsiderojnë të ngjashëm me luftërat e shekujve të kaluar.
Putin ka pretenduar se qëllimi kryesor i pushtimit është “mbrojtja e njerëzve tanë” në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas.
Kievi dhe Perëndimi e shohin këtë arsyetim si pretekst të rremë për ambiciet e tij imperialiste.
Disa ditë para forumit ekonomik, Putin ka bërë krahasim me vetes dhe Petrit të Madh të shekullit të 17-të, i cili e ka zgjeruar Perandorinë Ruse, pas humbjes së Suedisë më 1709.
Putin ka pretenduar se Rusia është “detyruar” të pushtojë Ukrainën dhe ka thënë se do të vazhdojë luftën pavarësisht përballjes me rezistencë të forcave ukrainase dhe humbje të konsiderueshme të ushtarëve dhe pajisjeve.
Presidenti rus ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për rolin e tyre në çështjet globale, duke thënë se Uashingtoni e konsideron veten “emisar të Zotit në Tokë”.
Ai ka thënë se Rusia do të luajë rol më të madh në atë që e ka quajtur rregull të ri botëror.
“Asgjë nuk do të jetë siç ka qenë në politikën globale”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka kritikuar regjimin e sanksioneve të Perëndimit, duke thënë se parashikimet për kolapsim të ekonomisë në Rusi, nuk janë menduar mirë.
Ekspertët perëndimorë kanë thënë se ekonomia e Rusisë mund të tkurret në deri 15 për qind këtë vit për shkak të sanksioneve, ndonëse ndikimi mund të vërehet më shumë në gjysmën e dytë të vitit.
Putin ka thënë se sanksionet do të godasin Evropën, e cila varet shumë nga energjia ruse.
Putin po ashtu ka hedhur poshtë akuzat e Perëndimit se Moska është përgjegjëse për rritje të ndjeshme të çmimeve globale të drithërave.
Uashingtoni dhe Brukseli besojnë se bllokadat ujore ruse në portet ukrainase, janë duke bllokuar furnizimet e Ukrainës, një eksportuese e madhe e miellit dhe lulediellit.
Ai ka pretenduar se Rusia është e gatshme të garantojë transitin e anijeve që eksportojnë drithërat ukrainase përmes Detit të Zi dhe se Ukraina ka alternativa përmes rrugëve tokësore, ndonëse ekspertët e Perëndimit nuk e shohin këtë mundësi si lehtë të realizueshme.