Ndërlidhjet

Punëtorët, të papaguar për orët shtesë


Punëtorë ndërtimtarie - Fotografi ilustruese.
Punëtorë ndërtimtarie - Fotografi ilustruese.

Punëtorët në Maqedoninë e Veriut ankohen se është bërë dukuri e zakonshme që të mos u paguhet puna shtesë, përkatësisht orët e punës që realizojnë jashtë orarit të punës, edhe pse kjo e drejtë u garantohet me ligj.

“Tashmë 20 vjet punoj në kompaninë e njëjtë. Në përgjithësi punoja shumë orë më shumë nga ajo që parashihet me ligj, megjithëse asnjëherë nuk jam paguar për angazhimin tim jashtë orarit të punës. Në vend se të më paguheshin orët e punës jashtë orarit, pronari më detyronte të dilja më herët nga puna në ditët që s’kishte punë".

"Unë jam shumë më e interesuar që të më paguhet mundi sesa të më mundësohet të dal më herët nga puna kur vlerëson pronari i kompanisë dhe jo kur unë kam vërtet nevojë për të qenë e lirë nga puna”, thotë një punonjëse, e cila dëshiron të mbetet anonime nga frika e humbjes së vendit të punës.

Një nga vërejtjet kryesore të Lidhjes së Sindikatave ka të bëjë pikërisht me mospagesën e angazhimit të punëtorëve jashtë orarit të punës.

Sindikalistët thonë se problemi qëndron në atë se mekanizmi kontrollues për orarin e punës mbetet në duart e punëdhënësve dhe duke e pasur këtë forcë në dorë, atyre u mundësohet të përfitojnë nga moszbatimi i të drejtave të punëtorëve.

“Ne kërkojmë që çdo orë e punuar brenda ditës jashtë orarit të paraparë si e tillë menjëherë të regjistrohet dhe jo ato orë të zhvendosen në ditë të tjera gjatë tre muajve kur nuk ka punë të lirohen punëtorët, më saktë thënë, të shkojnë në pushim të detyrueshëm në kohën kur atyre nuk u përshtatet”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ivan Peshevski, kryetar i sindikalistëve në sektorin e Ndërtimtarisë, në kuadër të Lidhjes së Sindikatave.

Ndaj vërejtjeve të sindikalistëve autoritetet e shtetit janë përgjigjur se punëtorët këto raste duhet t’i denoncojnë në institucionet përkatëse.

Puna jashtë orarit paguhet me një shkallë më të lartë në orë, ose me kërkesë të punonjësit ajo mund të kompensohet me pushim përkatës gjatë muajit pasues.

Por, sindikalistët thonë se të gjitha analizat tregojnë se ndryshimet e shumta që ka pësuar Ligji për marrëdhënie pune, ka krijuar më shumë konflikte me ligjet e tjera, duke u krijuar mundësi që këto zbrazëtira t’i shfrytëzojnë punëdhënësit për të përfituar në kurriz të punës së punëtorëve.

Sindikalistët theksojnë se orët e shumta jashtë orarit të rregullt vënë në rrezik dhe sigurinë e punëtorëve.

“Mbi 90 për qind e rasteve të lëndimeve që kanë pësuar punëtorët gjatë punës, si dhe rastet fatale me humbje jete, kanë të bëjnë me orët jashtë orarit të punës pasi punëtorët janë të tejlodhur veçanërisht gjatë periudhës së verës, kjo ndodh në ndërtimtari. Unë e di se kushtet klimatike janë ato që diktojnë dinamikën e punës në ndërtimtari, por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se punëtorët duhet të detyrohet të punojnë nga 18 orë gjatë verës dhe ata të lihen të lirë gjatë dimrit”, thotë Peshevski.

Ndërkaq, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale bëjnë të ditur se me ligjin e ri për marrëdhënie pune, i cili është në procedurë parashihet të përfshihen të gjitha standardet e vendeve të zhvilluara evropiane ku theksi vendoset në rëndësinë e dialogut social.

"Në përgatitjen e ligjit të ri për marrëdhëniet e punës do të marrin pjesë të gjithë aktorët e shoqërisë, përfaqësues të punëtorëve, punëdhënësit, Organizata Ndërkombëtare e Punës, si dhe ekspertë në këtë lëmi. Nëpërmjet dialogut të hapur me partnerët socialë, do të punohet për zgjidhje ligjore, e cila njëkohësisht do të sigurojë mbrojtje dhe promovim më të madh të të drejtave të punëtorëve, si dhe zgjidhje për të cilën duhet të jenë të kënaqur punëtorët dhe punëdhënësit, thuhet në përgjigjen e dikasterit të punës dhe politikës sociale.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale pret që draft-versioni të jetë gati para fillimit të pushimeve të verës dhe menjëherë pas përfundimit të tyre, të iniciohet një debat i gjerë publik, për të inkorporuar vërejtjet e të gjitha palëve të përfshira.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG