Ndërlidhjet

Pse një vendim i gjykatës gjermane vë në dyshim themelet e BE-së?


Ilustrim.
Ilustrim.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese në muajin maj në Gjermani, ka ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e Eurozonës me 19 anëtarë dhe Bashkimit Evropian në tërsi. Vendimi i gjykatës është fokusuar në çështjet financiare mirëpo ka edhe gjëra më të rëndësishme aty.

Çfarë saktësisht ka ndodhur?

Më 5 maj, Gjykata Kushtetuese në Gjermani ka vendosur në të mirë të një ankese kundër programit për blerje të bonove nga Banka Qendrore Evropiane. Sipas programit, nga viti 2013 deri më 2018, kjo Bankë ka printuar monedha në vlerë të 2 trilionë eurove dhe i ka përdorur ato për të blerë bono publike si dhe ato të korporatave.

Ky proces është kompleks mirëpo qëllimi i tij ka qenë që të ndihmojë në stabilizimin e ekonomive në vendet e Eurozonës në kohën e recesionit. Mirëpo Gjykata më e lartë të Gjermanisë, me 7 vota për dhe 1 kundër, ka gjetur se disa pjesë të programit kanë shkelur kushtetutën gjermane.

Pika kyçe është se vendimi i gjykatës gjermane del kundër një vendimi të vitit 2018, të marrë nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg, e cila veçse ka shpallur të ligjshëm programin për blerje të bonove.

Pse është e rëndësishme kjo gjë?

Ky vendim vë në pikëpyetje një nga parimet kryesore të Bashkimit Evropian, që përbëhet nga ligjet e fuqishme evropiane, siç interpretohen nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Prej viteve 1960, në shumë procese gjyqësore, kjo gjykatë e BE-së ka forcuar këtë koncept.

Nëse ka një konflikt në mes të ligjit evropian dhe ligjit të ndonjërit prej vendeve anëtare, ligji evropian fiton. Ndonëse gjykatat kombëtare në përgjithësi pranojnë këtë parim në praktikë, një numër i ekspertëve ligjorë dhe politikanëve në shtetet evropiane, nuk pajtohen me këtë interpretim. Tani, pas vendimit të gjykatës gjermane, konflikti është vënë në pah.

Si ka reaguar BE-ja?

Pas disa ditëve të heshtjes në Bruksel, derisa zyrtarët evropianë “kanë studiuar vendimin”, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ka lëshuar një deklaratë për media më 10 maj, duke rikonfirmuar tri parime themelore: “Politika monetare e BE-së është çështje e kompetencës së saj ekskluzive, ligji i bllokut evropian ka prioritet mbi ligjin kombëtar dhe se vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë duhet të zbatohen nga të gjitha gjykatat kombëtare”.

Dhe në fund ajo ka shtuar: "Fjala e fundit për ligjin e BE-së gjithmonë deklarohet në Luksemburg. Askund tjetër”.

Von der Leyen po ashtu ka lënë të kuptohet se Komisioni Evropian, si gardian i traktateve të BE-së, është duke shqyrtuar mundësinë e prezantimit të të ashtuquajturave procedura të shkeljes kundër Gjermanisë, çka në fakt është hetim i Bashkimit Evropian, në rast se vendet anëtare shkelin rregullat e përbashkëta.

Ky hetim do të mund të fillojë me dialog në mes të Brukselit dhe Berlinit për të zgjidhur këtë çështje, mirëpo nëse nuk zgjidhet, atëherë do të paraqiten dy dilema: a do ta dërgojë Komisioni Gjermaninë në gjykatën e Luksemburgut – vendimin e së cilës e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë? Apo nëse Von der Leyen, ish-ministre e Mbrojtjes në Gjermani do të ndeshet me mentoren e saj politike, Angela Merkel?

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.

Çfarë ndodh tani?

Është e qartë se ky tërmet ligjor do të ketë ndikim të madh. Ka mundësi që ky vendim të nxisë vendet tjera, që janë të prirura, ta sfidojnë fuqinë e ligjit evropian.

Ky rast është mirëpritur në shtetet që janë përplasur me Brukselin në vitet e fundit, sa i përket sundimit të ligjit. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, i ka thënë të përditshmes gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung se ky vendim, ka qenë “ndër më të rëndësishmit” në historinë evropiane dhe se “Gjykata Evropiane e Drejtësisë nuk ka fuqi të pafund”.

Ministrja e Drejtësisë në Hungari, Judit Varga, i ka thënë të përditshmes, Magyar Nemzet se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë ka konfirmuar qasjen se Bashkimi Evropian nuk është i barabartë me Shtetet e Bashkuara në këtë aspekt”. Për këtë pjesë, deputeti liberal dhe ish-kryeministri belg, Guy Verhofstadt ka paralajmëruar: “Nëse secila gjykatë kushtetuese e vendeve anëtare fillon të prezantojë interpretimet e asaj që mund apo nuk mund të bëjë Evropa, atëherë ky është fillimi i fundit”.

Vendimi i gjykatës gjermane rrezikon edhe rritjen e tensioneve veri-jug në BE, të cilat janë përshkallëzuar edhe më, për shkak të pandemisë me koronavirus. Gjermania dhe disa shtete tjera veriore të BE-së, kanë shprehur rezerva për planet që parashohin dhënien e ndihmës për ekonomitë e vendeve në jug të Evropës, që janë prekur më së keqi nga koronavirusi, duke lëshuar instrumente borxhi, të njohura zyrtarisht si bono për koronën.

Përveç kësaj, ky vendim i gjykatës gjermane, rrezikon që të rrisë ndjenjën anti-gjermane në gjithë BE-në, teksa Berlinit i duhet të merret me opinionin publik kombëtar, që është kundër lëshimit të borxheve për këto shtete, por edhe me një Gjykatë Kushtetuese aktive, e cila mund të shkatërrojë secilin plan të madh për shpëtim të BE-së.

A ka zgjidhje?

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë i ka dhënë Gjykatës Evropiane të Drejtësisë tre muaj për t’iu ofruar autoriteteve gjermane arsyetim adekuat për programin e blerjes së bonove, pasi në të kundërtën, Bundesbank, Banka Qendrore e Gjermanisë, nuk do të lejohet që të marrë pjesë në të ardhmen.

I mbetet Gjykatës Evropiane tani që të analizojë kërkesat e gjykatës gjermane dhe të dalë me një përgjigjje të pranueshme gjatë verës për programin e blerës së bonove.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u ka thënë anëtarëve të Partisë së saj Demokristiane (CDU) se kjo çështje është “e zgjidhshme”, nëse banka me seli në Frankfurt ofron një sqarim të mirë për veprimet paraprake.

Mirëpo në plan afatgjatë, BE-ja duhet të punojë në sistemin e komplikuar hibrid që ka tani, sipas së cilit, 19 shtete kanë një valutë dhe bankë të përbashkët, por jo edhe borxh të njëjtë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG