Ndërlidhjet

Protestë në Tiranë, hedhen tymuese dhe gaz lotsjellës


Pamje nga protesta e opozitës në Shqipëri e organizuar më 21 shkurt në Tiranë.
Pamje nga protesta e opozitës në Shqipëri e organizuar më 21 shkurt në Tiranë.

Policia në Shqipëri ka përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur turmën e protestuesve që u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë, përderisa brenda tij po mbahej seancë plenare.

Policia përdori këtë masë pasi protestuesit u munduan të çajnë kordonin policor dhe të futen brenda godinës së Kuvendit.

Forcat për ndërhyrje të shpejtë të policisë kanë përdorur të njëjtat masa për herë të dytë më vonë gjatë protestës, pas përfundimit të seancës plenare, kur deputetët e mazhorancës duhej të dilnin nga Kuvendi. Shumica e deputetëve dolën nga dera anësore e institucionit, që lidhet me Kalanë e Tiranës.

Protestuesit kanë hedhur tymuese në drejtim të policisë dhe dogjën goma, teksa kërkuan dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe largimin e Qeverisë së tij.

Këta qindra qytetarë që u mblodhën të martën pasdite para godinës së Parlamentit u thirrën nga opozita në protestë vetëm pak orë më herët, kur kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi njoftoi për një seancë plenare. Në rendin e ditës ishin dy ligje mbi strukturën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe organe të tjera të drejtësisë.

Organizatorët e kësaj proteste, partitë opozitare në Shqipëri, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, disa ditë më parë dogjën mandatet e deputetëve dhe dhanë zyrtarisht dorëheqje nga postet, dhe u zotuan se do të vazhdojnë të protestojnë deri në rënien e Qeverisë.

Policia e Shqipërisë përmes altoparlantëve u ka bërë thirrje protestuesve të mos ndërmarrin akte të dhunshme dhe të ruajnë qetësinë.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, pas përfundimit të protestës dhe shpërndarjes së protestuesve, nga selia e partisë së tij e quajti Qeverinë “tinëzare” dhe tha se ajo e ka marrë peng Shqipërinë.

“Jeni ngritur për të mos u ulur më deri në fitoren totale të lirisë dhe demokracisë mbi dhunën, vjedhjen dhe mashtrimin, të fitores së qytetarëve mbi bandën kriminale që ka marrë peng Shqipërinë”, tha Basha duke paralajmëruar protesta të mëtejshme dhe mosbindje civile.

Nga brenda Kuvendit, ku kanë mbetur vetëm deputetët e Partisë Socialiste me 78 ulëse, u kritikua protesta e opozitës.

“Nuk fitohet pushteti me dhunë, por me vota”, tha Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së.

Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përmes një njoftimi për media ka thënë se dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë.

“Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë. Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.

Kjo ishte protesta e tretë brenda 10 ditësh që zhvillon opozita, e cila kërkon që Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama të largohet dhe të krijohet një Qeveri tranzitore deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG