Në anën serbe afër Jarinjës – pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë – ka mbaruar një protestë e thirrur nga grupe djathtiste serbe, si shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që kanë ngritur serbët lokalë në veri të Kosovës.
Protestuesit janë shpërndarë pasi Policia serbe u ka thënë se do të lirojë një person që ka arrestuar në protestë.
Organizatorët e protestës kanë thënë se serbët në veri të Kosovës janë “nën presion të madh” dhe që e kanë pasur të ndaluar që t’i bashkohen protestës së 18 dhjetorit.
Kur e kanë përmendur presionin, ata kanë kritikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.
“Kemi dashur të shkojmë te KFOR-i, atje do të na ishin bashkëngjitur edhe disa persona tjerë, për t’i treguar KFOR-it që të largohet nga këtu, sepse nuk ka çfarë kërkon”.
Pjesëtarë amerikanë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë parë prezentë në anën kosovare të pikëkalimit në Jarinjë.
“Kjo është toka jonë dhe nuk pajtohemi me këto kalime administrative”, ka thënë, Damjan Knezheviq, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë "Patrulla Kombëtare" nga Serbia.
Ky grup e ka organizuar protestën dhe u ka bërë thirrje mbështetësve nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Serbe e Bosnjë – Hercegovinës, që t’iu bashkohen në afërsi të Jarinjës.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
Komunat veriore - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - janë të banuara me shumicë serbe.
Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë këto barrikada, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.
“Kemi ardhur këtu që të tregojmë se atje është toka tonë. Nuk duam të përballemi me njerëzit tanë. Nuk e pranojmë marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë të dielën një protestues.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve më 2011.
Në kuadër të këtij procesi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, janë arritur disa marrëveshje.