Në ditën e katërt të protestave me moton “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes, protestuesit maqedonas kanë thyer xhamat e Ministrisë së Jashtme dhe kanë sulmuar policinë.
Si rrjedhojë, dy protestues janë arrestuar, ndërsa ende nuk dihet nëse ka policë të lënduar. Gjatë protestave të ditës së hënës, katër policë ishin lënduar.
Protesta, e cila ka filluar para objektit të qeverisë, ka vazhduar më pas tek MPJ, ku protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike dhe gjësende të forta, duke thyer xhamat e përparmë të ministrisë.
Protestuesit i kanë bërë thirrje ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, që "ta mësoj historinë maqedonase".
Në pankartat e protestuesve emri i Bujar Osmanit, ishte deformuar në Bugar Osmani.
Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen Kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit.
Protestuesit në fund kanë ndaluar para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në protestën që vazhdoi deri rreth orës 22:00 të 5 korrikut.
Një grup i maskuar i protestuesve kanë thyer kordonin e policisë dhe në drejtim të tyre kanë hedhur gjësende të forta, lëndë piroteknike, letër tualeti dhe vezë.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë, ishte dëshmitar i arrestimit të dy protestuesve, të cilët kishin sulmuar policinë.
Policia ka arritur që t’i shpërndajë protestuesit para Kuvendit, duke vendosur situatën nën kontroll.
Këto protesta janë kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare rreth të kaluarës dhe çështjes së identitetit maqedonas.
Protestuesit po kërkojnë që autoritet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, të refuzojnë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Sipas tyre, francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase.
Gjatë protestës s, policia maqedonase tha se janë lënduar katër policë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka bërë thirrje për protesta të qeta dhe demokratike duke nënvizuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe këtë të drejtë askush nuk guxon tua mohojë.
“Dhuna ndaj atyre që kujdesen për rendin – policisë maqedonase , ndaj institucioneve nuk do të sjell asgjë. Dje kishim tentim për eskalim të situatës, kemi 4 polic të lënduar”, ka thënë ai.
Gjatë protestës së një ditë më parë, një grup i qytetarëve të udhëhequr nga lideri i partisë ‘E Majta’, Dimitar Aapsiev, i cili njihet për qëndrimet e tij nacionaliste, theu rrethojën e vendosura para Qeverisë dhe në drejtim të Policisë dhe ndërtesës qeveritare hodhën letra tualeti, shishe plastike, topa uji, mjete piroteknike dhe vezë.
Kovaçevski: E pa tolerueshme të protestohet me maska
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski gjatë ditës ka thënë se protestat e dhunshme nuk i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Po, protestojnë njerëz që mbajnë maska , të cilët godasin policinë. Po, kemi polic të lënduar. çdo kush mund të protestoj për çdo çështje. Por qëllimi që të shkohet në protesta me maska është I pa tolerueshme për një shtet që kaloi 27 prillin. Kjo nuk guxon të na ndodhë. Mbrëmë e patë se policia u tërhoq. Këtu bisedohet për propozim të ofruar nga Bashkimi Evropian” ka deklaruar kryeministri I Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.
Ndryshe, përmes propozimi francez i cili arriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues.
Bullgaria tashmë dy vjet, përmes vetos, e ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, me këtë edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë drejt rrugëtimit në procesin integrues në Bashkimin Evropian.