Ndërlidhjet

Kuvendi shtyn seancën pas protestës së veteranëve


Veteranët kërkojnë rritje të pensionit për 94 euro
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:49 0:00

Veteranët kërkojnë rritje të pensionit për 94 euro

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për javën tjetër seancën e paraparë për të enjten, pas kërkesës së vazhdueshme të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët kanë protestuar nga mëngjesi jashtë ndërtesës së këtij institucioni.

Veteranët e kanë theksuar disa herë gjatë ditës kërkesën e tyre që të mos mbahet asnjë seancë, derisa të tërhiqet Projektligji për pagat – i miratuar në lexim të parë më 14 qershor – në të cilin nuk është përfshirë rritja e pensionit të tyre.

Kërkesës së veteranëve i është bashkëngjitur edhe opozita, e cila me bllokimin e foltores ka pamundësuar mbajtjen e seancës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka konsideruar kërkesën e veteranëve të paarsyeshme, duke thënë se në seancën e së enjtes nuk ka qenë në plan që të diskutohet tema për të cilën kanë protestuar veteranët.

“Vetëm po ju paralajmëroj që seancat e Kuvendit nuk do të mund të bllokohen pafundësisht, apo për shkak të betejave tona politike që i kemi”, ka thënë ai.

Kurti shprehet i gatshëm për dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar gjatë ditës që të takohet të premten me përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kurti ka thënë gjatë një adresimi në Kuvend se Qeveria ndan rreth 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta, dhe se kjo shifër është më e madhe sesa ajo që ndahet për sigurinë e vendit.

“Unë nuk besoj që ne dallojmë sa i përket respektit dhe mirënjohjes për veteranët e luftës së UÇK-së, ne mund të dallojmë në bindjen tonë për numrin e tyre. Ky është një debat që zhvillohet në shoqërinë tonë, që natyrisht zhvillohet edhe në Kuvend”.

Ai ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me kategoritë e dala nga lufta “për të arritur te numri i vërtetë i veteranëve”.

“Konsiderojmë që pjesëmarrës në luftën çlirimtare kanë qenë më shumë se 60 mijë, por numri i veteranëve të UÇK-së është i fryrë, dhe ky është gabim edhe për historinë që do t’iu mësohet fëmijëve në brezat e ardhshëm, sepse është diçka e pavërtetë”.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL të UÇK-së), Faton Klinaku, ka thënë se takimeve me Kurtin nuk u ikë, dhe pranon takimin e së premtes, mirëpo kundërshton mbajtjen e secilës seancë derisa të mos kthehet mbrapsht projektligji.

Si nisi protesta?

Protesta ka nisur në orët e mëngjesit në afërsi të Kuvendit të Kosovës.

Pak minuta më vonë, protestuesit kanë hyrë në oborrin e Kuvendit, pas shtyrjeve me forcat e Policisë së Kosovës, derisa në hyrje të këtij institucioni kanë qenë të pozicionuara njësitet speciale.

“Këta deputetë që shkelin ligje, që shkelin Kushtetutë, nuk e kanë vendin këtu”, ka thënë Klinaku.

Ai është zotuar për dërgim të projektligjit - nëse hyn në fuqi - edhe në instanca më të larta, siç është Gjykata Kushtetuese.

Pse këto pakënaqësi?

Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.

Veteranët kanë kërkuar që ky Projektligj të mos miratohet edhe në një protestë që kanë zhvilluar para Kuvendit më 6 qershor.

Projektligji i miratuar në parim është kundërshtuar vazhdimisht edhe nga partitë opozitare në Kosovë, duke e konsideruar si diskriminues ndaj veteranëve.

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë që nuk janë kundër rritjes s pensionit të veteranëve, por fillimisht duhet të konfirmohet lista e tyre.

Kur më 2017 është shfuqizuar neni i Ligjit për veteranët e luftës, i cili parashihte që pensioni i veteranit mos të jetë më i ulët se paga minimale, i njëjti është plotësuar me nenin që parashihte kategorizimin e veteranëve – varësisht nga vitet e angazhuara në UÇK - gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu” kanë vlerësuar se pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur në rastin “Veteranët”, pastrimi i listës së veteranëve nuk mund të bëhet.

Gjykata e Apelit, më 26 prill të vitit 2022, ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”.

Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, u ngrit dyshimi se për 19.500 persona është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG