Ndërlidhjet

Prokuroria thotë se synon t’i thërrasë tre dëshmitarë në rastin e dytë ndaj Thaçit


Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në sallën e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në sallën e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë.

Prokuroria synon t’i thërrasë të paktën tre dëshmitarë për të dëshmuar në gjyqin e Gjykatës Speciale kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të dyshuarve të tjerë, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Prokurori Joshua Hafetz tha të martën gjatë një seance për ecurinë e këtij procesi në Gjykatën e Hagës se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka një dëshmitar dhe synon të thërrasë edhe të tjerë për të dëshmuar në këtë rast.

“Ne synojmë t’i thërrasim tre dëshmitarë të paktën, duke përfshirë dëshmitarin që është i përmendur me emër dhe bazë të të cilit është mbështetur dokumentacioni i aktakuzës”, tha Hafetz.

ZPS-ja është mbështetur në dy deklarata të një dëshmitari për ta përpiluar aktakuzën kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ngriti aktakuzë të re kundër Thaçit dhe të tjerëve në fillim të dhjetorit, dhe i akuzon ata për “përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.

Gjatë seancës të hënën, gjykatësja Marzhori Maselo i pyeti Thaçin dhe Smakajn nëse donin të deklaroheshin rreth fajësisë në lidhje me akuzat me të cilat ngarkohen, por ata nuk pranuan përsëri.

Kuçi, Kilaj dhe Fazliu janë deklaruar të pafajshëm në seancat e tyre fillestare javën e kaluar.

Në aktakuzë përshkruhen takimet që Thaçi ka zhvilluar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.

Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar një gjyqi tjetër ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së: Çfarë ndodhi deri më sot?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG