Që kur ishte fëmijë, ende pa shkuar në shkollë, mësoi ta gdhendte drurin dhe të bënte art me të.
Paraditja e gjen në auditorë profesorin Pirro Icka, ndërsa pasditja në punishten e tij në bulevardin kryesor të qytetit të Pogradecit, në juglindje të Shqipërisë.
Kujtdo që shëtit pranë liqenit të Ohrit aty, nuk ka sesi të mos ia tërheqë vëmendjen punishtja e tij.
Artin e gdhendjes në dru ajo e ka që te dera dhe dritarja, ndërsa kur futesh brenda, mrekullohesh nga ajo që sheh: korniza, rafte, objekte që varen në mur apo vendosen në tavolina, simbole kombëtare - të gjitha të punuara me mjeshtri falë pasionit të trashëguar prej së paku katër brezash.
“Kam lindur me këtë pasion”
“Them se kam lindur me këtë pasion, pasi gjithnjë në shtëpinë tonë është gdhendur druri. E kam trashëgimi nga babai, e para tij edhe gjyshi e stërgjyshi kanë bërë art me dru”, thotë Icka për Radion Evropa e Lirë.
“Pa shkuar ende në klasë të parë, mbaj mend që babai më jepte një copë dërrase, vizatonte në të një lule dhe më mësonte se si ta gdhendja”, shton ai.
Profesori 46 vjeç tregon se babai i tij ka qenë mësues i Ekonomisë Shtëpiake - një lëndë që zhvillohej në arsimin parauniversitar në kohën e regjimit komunist në Shqipëri.
“Në atë kohë, gjatë zhvillimit të kësaj lënde, nxënësit mësonin se si të bënin punime me dru e metal, si të qepnin apo qëndisnin, e mjaft gjëra të tjera. Ishte një mënyrë për t’i aftësuar nxënësit, por edhe për të zbuluar se ku kishin prirje apo talent. Para pak kohësh kam takuar një të njohur, i cili më tregoi se disa nga nxënësit e babait tim e kanë zhvilluar këtë aftësi”, rrëfen Icka.
Ai ka studiuar për inxhinieri agronomike dhe ka bërë një master në Greqi.
Prej disa vitesh punon si pedagog në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin “Fan Noli” në Korçë - qytet pranë Pogradecit - por për asnjë çast nuk ka lënë pas dore pasionin e tij për të bërë art me dru.
Tre vjet punë për një raft
“Dy deri në tri orë i kaloj çdo ditë në këtë punishte, që më pëlqen ta quaj studio arti. Nuk e konsideroj punë, por çlodhje apo mënyrë për ta hequr stresin, me të cilin na ngarkon përditshmëria. Më pëlqen t’ua mësoj edhe të rinjve apo fëmijëve, por nuk kanë shumë interes”, thotë mjeshtri i drurit.
Punimet që realizon janë nga më të ndryshmet - simbole kombëtare, korniza, objekte zbukurimi për t’u vendosur në mur apo në rafte dhe tavolina, mbajtëse për shishe të pijeve, por edhe mobilie që nuk ngjajnë me asnjë tjetër.
Sapo hyn në punishten e tij, tërheq vëmendjen një prej tyre.
“Është një raft për të cilin është punuar tre vjet. Ka shumë punë dhe pasion në të. Punimet janë me motive floreale. Kur e shoh, mendoj se ende nuk e kam përfunduar, mendoj se ende ka diçka që mund të shtoj. Për mua është një vepër arti”, thotë Icka.
Art me drurë të hedhur në mbeturina
Ai tregon se shumë prej punimeve që gjenden në punishte - të punuara prej tij apo prej babait të tij, që nuk jeton më - janë copa të ndryshme dërrasash apo drurësh, që i kanë gjetur të hedhura dhe u kanë dhënë ‘jetë’.
Punimi që sapo ka përfunduar, ishte një copë druri, një trung, që kishte mbetur nga punime të mëparshme.
“Nuk e cilësoj dot mbeturinë drurin. Vërtet ka mbetur nga një punim i mëparshëm dhe ishte për t’u hedhur, por kur e pashë, m’u duk e padrejtë të hidhej në plehra, kështu që mendova se mund të bëj diçka me të”, thotë 46-vjeçari, duke treguar nga punimi me lule në mes.
Ai thotë se shpesh ka punuar me copa druri të gjetura në stivën e drurëve të zjarrit.
Dera e punishtes së tij është gjithnjë e hapur dhe ai thotë se shpesh tërheq vëmendjen e kalimtarëve apo turistëve.
“Është si një ekspozitë e vogël. Kushdo vjen dhe i sheh punimet e mia... Pak janë ata që blejnë. Rrallë ndodh të marr ndonjë porosi. Kryesisht e bëj për pasion, për ta hequr stresin, për shkak të dëshirës që kam për ta mbajtur gjallë këtë pasion”, thotë Içka.
“Të rinjtë sot e duan paranë e shpejtë... E pranojnë që të gjitha punimet janë shumë të bukura. Por, në fund, thonë: si ke nerva ta humbësh gjithë atë kohë për të zbukuruar një copë dru? Por, për mua nuk është humbje kohe”, thotë profesori i inxhinierisë agronomike.
“Artizanati nuk mbështetet”
Ai thotë se ndien keqardhje për faktin që nuk ka interes për zanatet dhe që nuk vlerësohen ata që e mbajnë gjallë traditën.
“Një zanat nuk të lë pa bukë - është shprehje e urtë popullore kjo, por qëllimi im nuk është fitimi. Unë nuk e shkel këtë pasion për para, nuk mund t’i lejoj vetes të bëj një punë shkel e shko, shpejt... Jo, e marr gjithë kohën e duhur. Madje, ndodh që nuk kam frymëzim ndonjëherë për të nisur një punim të ri apo për të përfunduar diçka që kam nisur dhe nuk e vazhdoj, sepse kjo punë do frymëzim, pasion, duhet ta duash”, shprehet Icka.
Koha e punimit varet shumë nga objekti që bën, lloji i drurit, modeli që ka zgjedhur të bëjë, apo gjendja që përjeton.
Thotë se i vjen keq që jo vetëm zanati i tij, por edhe shumë të tjera nuk mbështeten.
“Nuk ka më këpucëtarë, orëndreqës, kovaçë. Duhet mbështetje për zanatçinjtë. Pazari i Korçës, për shembull, ka qenë i njohur për shkak të këtyre zanateve dhe mjeshtërve që bënin të tilla punime. U them me shaka miqve të mi në universitet, se tashmë duhet t’ia ndërrojnë emrin dhe ta quajnë kafeneja e Korçës, se tani vetëm lokale ka, nuk ka më pazar”, thotë mjeshtri.
Sipas tij, programe mbështetëse nuk ka - ose janë shumë pak dhe me shumë burokraci. Një artizan thotë se e ka vështirë të aplikojë për një program mbështetës.
“Kini parasysh se zanatçinjtë, përgjithësisht, janë mbi 60 vjeç. Mund të mos dinë as të përdorin telefonin dhe jo më internetin e të bëjnë aplikime që janë vërtet të vështira edhe për ata që e njohin teknologjinë”, thotë ai.
Edhe profesori Icka është një prej atyre që nuk u pëlqen teknologjia, ndaj ka zgjedhur që edhe punimet e tij të mos i reklamojë në rrjetet sociale.
“Miqtë e mi më thonë shpesh se përse nuk hap llogari në rrjetet sociale që t’i reklamosh punimet".
"Madje, ndonjëherë, ata hedhin në llogaritë e tyre fotografi të punimeve të mia, disi pa leje. Por, mua më duket humbje kohe. Zgjedh më mirë të punoj sesa të merrem me rrjetet sociale. Ai që e do të bukurën dhe artin, do ta gjejë rrugën të vijë t'i shohë nga afër, t'i prekë, ta vlerësojë bukurinë e tyre”, thotë Icka.
Pedagog a drugdhendës?
Mes dy profesioneve që ushtron e ka të vështirë të zgjedhë se cili i pëlqen më shumë.
Si mësimdhënia, ashtu edhe gdhendja e drurit për të mbeten pasione të mëdha që e përmbushin.
Por, për të dyja profesionet që ka zgjedhur, ka edhe disa brenga, që herë pas here e shqetësojnë - në njërën anë, siç thotë, rënia e numrit të studentëve, e në anën tjetër mosinteresimi për zanate.