Rreth 95 për qind e produkteve organike, të cilat grumbullohen dhe kultivohen në Kosovë, gjejnë vend në tregun evropian.
Pronari i një kompanie në Istog thotë se kërkesat për to janë shumë më të mëdha në vendet evropiane sesa në Kosovë.
“Mesatarisht, në vit, në tregun evropian eksportojmë produkte organike në vlerë prej rreth pesë milionë eurosh, ndërkaq në tregun e brendshëm shitja nuk arrin vlerën e 150 mijë eurove”, thotë Halit Avdijaj për Radion Evropa e Lirë.
Avdijaj shton se vazhdimisht punojnë që produktet e tyre organike t’i fusin edhe në tregun vendës, që, siç thotë ai, edhe popullata e Kosovës të përfitojë nga dobitë e tyre, por, kërkesat, sipas tij, janë ende të ulëta.
Kompania e Avdijajt, që kultivon dhe grumbullon produkte organike, eksporton në Gjermani, Zvicër, Austri, Çeki, Bullgari, Francë dhe në Britaninë e Madhe.
Ndërkaq, dy vjet më parë, ajo ka filluar eksportin edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, tregon Avdijaj.
Në kompaninë e Avdijajt kultivohen 32 produkte organike, si kamomili dhe menta, dhe grumbullohen 72 produkte të tjera, siç janë aguliçet, lulja e shtogut, frutat e boronicës e të kaçës.
Në vitin 2022, Kosova eksportoi në tregun evropian produkte organike me vlerë prej 15 milionë eurosh, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë.
Që një produkt nga Kosova të arrijë tregun ndërkombëtar, kompania duhet jetë e certifikuar si kompani organike. Certifikimet e produkteve organike në Kosovë bëhen nga organe certifikuese ndërkombëtare.
Avdijaj thotë se për të certifikuar një produkt organik kërkohen kritere të shumta.
“Për të filluar një kultivim organik, fillimisht toka duhet të jetë e patrajtuar së paku gjatë pesë vjetëve të fundit. Pastaj, nuk duhet të ketë në kufi ndonjë element ndotjeje. Janë shumë kritere dhe shumë vështirësi, dhe kërkohet punë mekanike”, tregon ai.
Rreth 50 kompani organike në Kosovë
Produktet organike prodhohen pa përdorimin e plehrave sintetike, hormoneve shtazore, aditivëve të dëmshëm dhe substancave toksike.
Këto prodhime nuk i ekspozohen rrezatimit dhe nuk përmbajnë mbetje të antibiotikëve dhe barërave veterinare.
Produktet organike identifikohen përmes logos, që e garanton integritetin e tyre organik.
Drejtori i shoqatës Organika, Fatmir Nagavci, thotë për REL-in se numri i kompanive të certifikuara si organike në Kosovë është rritur nga viti në vit, dhe se pothuajse të gjitha këto kompani i eksportojnë produktet e tyre në vendet evropiane.
“Në vitin 2016, në Kosovë kanë qenë vetëm dy kompani të certifikuara për produkte organike. Vitin e kaluar, numri i tyre ka arritur në afër 50
sosh”, tregon Nagavci.
Sipas inventarizimit të grumbullimit të produkteve pyjore jodrunore, të përpiluar nga Departamenti i Botanikës i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës, Kosova ka potencial për të grumbulluar së paku 29 mijë tonelata produkte të tilla.
Inventarizimi tregon se 85 produkte të tilla kanë potencial ekonomik, dhe kontribuojnë në gjenerimin e të ardhurave dhe mirëqenien ekonomike të familjeve që jetojnë në zonat rurale.
*Video nga arkivi: Bimët e Kosovës në sofrat e vendeve të BE-së
Por, ky potencial ekonomik, sipas shoqatës Organika, nuk shfrytëzohet.
“Nga 29 mijë tonelata, sa është potenciali i grumbullimit të këtyre produkteve, vitin e kaluar janë grumbulluar vetëm rreth 3.500 tonelata”, thotë Nagavci.
Kosova i ka të gjitha kushtet për prodhimin e produkteve organike, thotë Fadil Millaku, doktor i Shkencave të Biologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Por, fermerët, sipas tij, janë të dekurajuar që të pajisen me certifikata, për shkak të procedurave të shumta që kërkohen për certifikimin e një produkti organik.
“Potencial ka dhe përfitimet janë të mira, sepse të gjitha këto prodhime kanë treg të sigurt. Evropa dhe shtetet tjera të zhvilluara, çdo herë e më shumë po kërkojnë produkte organike që janë të shëndetshme”, thotë Millaku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas një raporti mbi bujqësinë organike në Kosovë, të vitit 2022, të përpiluar nga Qendra Ndërkombëtare për Bujqësinë Organike, thuhet se “Kosova ka kushte të përshtatshme klimatike dhe tokësore për prodhime organike dhe se sektori organik është më premtues në Kosovë”.
“Disponueshmëria e tokës së pastër ofron një bazë të mirë për zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara me prodhime organike”, thekson raporti.