Ndërlidhjet

Pritjet në radhë për viza: "Ata që e bllokojnë Demarkacionin nuk kanë nevojë për termin"


Ambasada e Hungarisë në Prishtinë
Ambasada e Hungarisë në Prishtinë

Fehmiu nga Podujeva, qytet jo larg Prishtinës, për të dytën ditë rresht bashkë me gruan, pret para Ambasadës gjermane, me shpresën se do të gjejë mëshirë dhe “pa rend” të fitojë terminin për vizë. Për termin pritet më gjatë se pesë muaj.

Vajza e tij, 14-vjeçare ka muaj që ndodhet në Gjermani për shërim dhe pret t’i nënshtrohet operimit të palcës kurrizore.

Kohë më parë, ajo kishte kaluar ilegalisht përmes Serbisë dhe Hungarisë për në Gjermani. Nëna e saj, ka fituar vizën për tre muaj, por me vetëm një të drejtë hyrje në këtë shtet. Pas gjashtë javësh qëndrimi në Gjermani, ishte kthyer në shtëpi ku e prisnin edhe dy fëmijët e saj më të vegjël. Pas kthimit, asaj nuk i është lejuar më që të udhëtojë sërish për në Gjermani.

“Kur kemi aplikuar më parë për vizë na kanë thënë se njëri prind mund të shkojë, kështu që vizën e mori gruaja ime. Më thanë se kur ajo të kthehet mund të shkosh ti, kështu që ma ndalën pasaportën. Por, pastaj kur u kthye, nuk ma lëshuan vizën. Erdhëm sërish sot që të provojmë dhe t’i lusim”, flet Fehmiu me lot në sy.

“Dhashtë Zoti dhe ajo (vajza) të jetë mirë, krejt tjerat do të harrohen”, thekson ai.

“Po ta dija se nuk do të mund të kthehesha prapë në Gjermani, nuk do të kthehesha”, thotë në anën tjetër, gruaja e Fehmiut.

Ndërkohë, vajza e tyre edhe më tutje po qëndron ilegalisht në Gjermani, nën përkujdesjen e dajës së saj.

Radhët para ambasadave në lagjen Arbëria (Dragodan) në Prishtinë janë të gjata. Qytetarët, presin në rend për vizë, qoftë për nevoja të shërimit jashtë Kosovës, për punë, por edhe për turizëm. Para disa ambasadave, gazetarëve u ndalohet të fotografojnë apo xhirojnë.

Qytetarët duke pritur pran ambasadës së Hungarisë në Prishtinë
Qytetarët duke pritur pran ambasadës së Hungarisë në Prishtinë

Kush nga Kosova ka pasaportë shqiptare?

Kush ka pasaportë të Shqipërisë?

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

Llideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Zyrtarë të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje: Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Shpend Ahmeti.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi dhe bashkëshortja e tij, Fatmirja.

Deputetja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari - Lila.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi dhe Sabri Hamiti.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Shënim: Të dhënat janë siguruar nga dekretet presidenciale të Republikës së Shqipërisë, të publikuara në Gazetën Zyrtare.

Terminin për vizën gjermane, marrë si shembull, qytetarët mund ta kërkojnë përmes sistemit online, por ata duhet të presin me muaj për informatat e kërkuara. Të moshuarve, kjo ua komplikon mjaftë gjendjen për shkak të paaftësive të mjaftueshme për të zotëruar teknologjinë. Por, ka edhe agjenci lokale përmes së cilave, me një pagesë prej 20 euro, mund të aplikohet për vizë. Me këtë aplikim, qytetarët detyrohen që te e njëjta agjenci të blejnë edhe sigurimin shëndetësor i cili është i domosdoshëm për aplikim.

Nga kjo ambasadë, përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë thuhet se ajo nuk bashkëpunon me asnjë agjenci.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkan, të cilëve edhe më tutje u është kufizuar liria e lëvizjes.

Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit janë kushtet e fundit që Bashkimi Evropian i ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave.

Aktualisht çështje e nxehtë mbetet pikërisht ajo e ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit, çështje që po zgjatë që nga viti 2015, kur ishte nënshkruar Marrëveshja ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Malit të Zi.

Qeveria e Kosovës, të hënën, e ka proceduar në Kuvend për ratifikim Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të cilës ia ka bashkangjitur dhe një raport me gjetjet e Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, ku konstatohet se Marrëveshja e vitit 2015, ishte jo e rregullt, në kuptimin e humbjes së disa hektarëve tokë të Kosovës.

Votimi i kësaj marrëveshjeje, mbetet nën pikëpyetje, pasi që kundër saj janë deklaruar se do të votojnë deputetët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat bëjnë pjesë në Qeverinë e Kosovës, si dhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Liria e lëvizjes për zyrtarët e lartë të Kosovës nuk është ndonjë problem i madh ngase shumë prej tyre posedojnë pasaportën e Shqipërisë. Përveç kësaj, ata dhe familjet e tyre janë të privilegjuar para ambasadave, dhe se terminet për viza i caktojnë edhe pa pritur në radhë.

Në këtë gjendje, qytetarët janë ata që dëmtohen më së shumti.

Lutfiu, një i ri nga Mitrovica, për tetë muaj ka pritur për termin që të dorëzojë dokumentet e nevojshme për vizë pune në Gjermani. Ai thotë se ka shpenzuar qindra euro për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar.

“Këtu ka punë, por pagesat janë kurrfarë. Kam punuar për dy muaj, por dobët. Njeriu duhet të ndërmarrë diç dhe t’i hapë sytë. Ajo që i mungon Kosovës janë vendet e punës dhe standardi jetësor. Atëherë (në të kundërtën) nuk kishim pas nevojë as për (ratifikim) demarkacion. Askush nuk ikë nga këtu prej dëshirës. Por, ata që e bllokojnë Demarkacionin, ata kanë para të mjaftueshme, nuk kanë nevojë për pasaportë e as termin, të gjitha i kryejnë”, thotë Lutfiu.

Kurse Vjosa, nga Prishtina, e cila pret në rresht për vizën hungareze thotë se procesi i marrjes së vizës po bëhet gjithnjë e më i mundimshëm dhe se çdo herë po kërkohen më shumë dokumente me çka kërkohen shpenzime minimale prej 100 euro.

“Me orë presim para ambasadës. Sot, është mjaftë ftohtë. Kam dalë para orës tetë që të zë vendin dhe ende po pres. Ky është një proces mjaftë nënçmues të cilin po e kaloj për të dytën herë dhe i cili më bën të ndihem mjaftë keq me faktin se jam banore e Kosovës”, thotë Vjosa.

Kushti i Bashkimit Evropian për ratifikimin e Demarkacionit, sipas saj, nuk është i drejtë, por shpreson që politikanët e Kosovës do ta miratojnë Demarkacionin sa më parë, por që “Kosova të mos humbë pjesë nga territori i saj”.

Para ambasadës së njëjtë, presin edhe disa qytetarë serb nga Graçanica të cilët ndodhen në të njëjtën situatë. Ata posedojnë pasaporta të Republikës së Serbisë, por me vet faktin që atë e kanë siguruar përmes Qendrës Koordinuese për Kosovën, atyre nuk u vlejnë liberalizimi i vizave, sikurse banorëve të Serbisë. Këta të rinj, ndërsa prisnin para ambasadës, nuk kishin interesim të flasin për mediat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG