“Grua, Jetë, Liri” u thirr të mërkurën edhe në Prishtinë.
Nën organizimin e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, disa gra dolën në Sheshin Skënderbeu, për të shprehur solidaritet me protestat në Iran.
“Është jetike ta bëjmë të ditur se edhe Kosova qëndron prapa kësaj kauze”, tha drejtoresha e kësaj organizate, Marigona Shabiu.
Irani ndodhet në mes të një revolte popullore, që është nxitur nga vdekja në paraburgim e një vajze 22 vjeçe.
Mahsa Amini ka rënë në komë disa orë pasi është arrestuar nga policia e moralit më 13 shtator, në Teheran, nën akuzat se ka shkelur rregullat e hixhabit, apo të shamisë së kokës.
Ajo ka vdekur në spital tri ditë më vonë. Familjarë të saj dhe iranianë të tjerë thonë se Amini ka humbur jetën si pasojë e rrahjes nga policia. Policia mohon se e ka keqtrajtuar dhe thotë se ajo ka pësuar sulm në zemër.
*EXPOSÉ: Hixhabi tund themelet e Republikës Islamike
Protestat fillimisht kanë shpërthyer në veriperëndim të Iranit, nga ku ishte Amini, ndërsa më pas janë shpërndarë në gjithë vendin.
Në ballë të protestave janë gratë, që thërrasin sloganin “Grua, Jetë, Liri” dhe kërkojnë më shumë të drejta në jetën e tyre.
Formë proteste është bërë edhe prerja e flokëve, një shenjë e bukurisë që me rregullat e Iranit duhet të fshihet.
Në Prishtinë, këtë gjest e bëri edhe Marigona Shabiu.
Në shenjë solidariteti me gratë iraniane, flokët i prenë edhe disa gra të tjera, që u mblodhën të mërkurën në njërin nga sheshet e qytetit - përfshirë 25-vjeçaren Erona Hajdari.
“Këtë gërshetë e kam për më shumë se shtatë vjet... Nuk e kam prerë dhe ky është një rast i veçantë për ta prerë. Me këtë po tregoj solidaritet me gratë në Iran”, tha Hajdari.
“Flokët i preva që të solidarizohem me vuajtjet dhe shtypjet që po u bëhen grave në Iran. Jam këtu dhe ndjej dhimbje për ato gra”, tha Bjeshka Guri, aktiviste për të drejtat e njeriut në Kosovë.
Për 23-vjeçaren Fjolla Zejnullahu, që po ashtu iu bashkua aksionit në Prishtinë, prerja e flokëve është gjëja më e vogël që mund të bëhet për gratë në Iran.
“Aksionet e vogla prej nesh janë më e pakta që mund të bëjmë”, tha ajo.
“Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Të drejtat e grave iraniane janë të drejta të njeriut”, tha Rina Kadiri, teksa preu flokët e saj nën tingujt e muzikës iraniane.
Protesta në mbështetje të grave në Iran janë mbajtur në disa vende të botës, si: Gjermani, Itali, Spanjë, Turqi, Kanada, Shtete të Bashkuara e të tjera.
Hashtagu #HairForFreedom, apo Flokë për Liri, është bërë viral në mediat sociale.
Qindra gra, përfshirë fytyra publike, por edhe burra kanë postuar fotografi dhe video të prerjes së flokëve.
Nga politika, eurodeputetja suedeze, Abir Al-Sahlani, i ka prerë flokët në mes të një seance të Parlamentit Evropian në Strasburg. “Derisa gratë e Iranit të jenë të lira, ne do të qëndrojmë me to”, ka thënë ajo.
Protestat në Iran janë duke vazhduar, përkundër shtypjeve vdekjeprurëse nga policia.
Me Kodin islamik në Iran, gratë duhet të veshin hixhab dhe rroba të gjera që ua fshehin figurën. Gratë iraniane nuk mund të udhëtojnë pa shoqërues meshkuj e as të bëjnë cilëndo punë.
Facebook Forum