Ndërlidhjet

Bastisen dhe sekuestrohen pronat e Radoiçiqit në veri


Automjete të Policisë së Kosovës afër restorantit Grey në Mitrovicën e Veriut, i lidhur me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Automjete të Policisë së Kosovës afër restorantit Grey në Mitrovicën e Veriut, i lidhur me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Autoritetet kanë bastisur dhe kanë sekuestruar prona të Millan Radoiçiqit në veri të Kosovës, si pjesë e një operacioni lidhur me sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku.

Radoiçiq më 29 shtator ka pranuar se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

Bastisjet u kryen në pesë lokacione në komunat veriore të Kosovës “kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarve M.R dhe V.R”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale, duke përmendur vetëm me iniciale Radoiçiqin dhe Vlladimir Radivojeviq. Ky i fundit, sipas informacioneve të REL-it, është udhëheqës i një grupi tifozësh të klubit të futbollit Crvena Zvezda.

Prokuroria tha se ka parashtruar urdhrin ndalues për sekuestrimin e një vile buzë liqenit të Ujmanit, një banesë dhe një lokalë.

Kontrolle u kryen edhe në një objekt ndihmës të Spitalit Rajonal në Mitrovicë të Veriut.

"Ky objekt i spitalit përdoret për sistemin e ngrohjes së spitalit dhe nuk ndërlidhet me hapësirat e spitalit ku trajtohen pacientët", tha Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media.

Aneksi ku ndodhet ngrohtorja e spitalit të Mitrovicës së Veriut.
Aneksi ku ndodhet ngrohtorja e spitalit të Mitrovicës së Veriut.

Prokuroria tha se gjatë bastisjeve ka sekuestruar si prova materiale: dy vetura të llojit Mercedes, dy motorë 4x4, një barkë (anije), dy pllaka antiplumb dhe dy mbrojtëse, pesë gëzhoja, një dron, thika, një shënjestër dhe pajisje të tjera elektronike, sikurse shtatë telefona celurura, kamerë GoPro, një videokamerë, USB, ruterë etj.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se bastisjet kishin të bënin me sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

"Sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund", është shprehur Sveçla, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës - të banuar me shumicë serbe - kanë vdekur tre sulmues.

Sipas informacioneve të REL-it në terren, zyrtarët policorë kanë qenë edhe te restoranti "Grey" në Mitrovicën e Veriut, i cili besohet se është në pronësi të Ema Radoiçiqit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Autoritetet kanë thënë se kontrollet i ka kryer në koordinim me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Automjete të policisë së Kosovës afër lokalit "Grey", në Mitrovicën e Veriut.
Automjete të policisë së Kosovës afër lokalit "Grey", në Mitrovicën e Veriut.

Reagimet e Listës Serbe dhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka thënë se njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë hyrë brutalisht në spitalin në Mitrovicë të Veriut dhe i ka akuzuar zyrtarët policorë për “brutalitet të tepruar”.

Në një komunikatë për media, kjo parti, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke i shfrytëzuar zhvillimet në Banjskë “për t’i justifikuar të gjitha aktivitetet antiserbe në Kosovë dhe Metohi, si dhe për të vazhduar keqtrajtimin e mëtejshëm të qytetarëve tanë”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se policia e ka dëmtuar derën hyrëse të spitalit dhe ka pretenduar se nga aksioni policor janë shqetësuar banorët e zonës.

Si, Lista Serbe, ashtu edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e kanë kritikuar, siç kanë thënë ato, mosreagimin e EULEX-it në aksionin policor.

Radoiçiq pranon përgjegjësinë për sulmet në Banjskë

Në Beograd, avokati Goran Petronijeviq lexoi një letër në emër të Millan Radoiçiqit, përmes së cilës ai mori përgjegjësinë për sulmet në veri.

Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar "ndonjë ndihmë" prej tyre.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, ka thënë ai.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ditë më parë publikoi një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi në Banjskë, i armatosur dhe i veshur me uniformë.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj në Banjskë dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG