Dy policë të Kosovës janë suspenduar për shkak të pretendimeve të një qytetari të Mitrovicës së Veriut, se është rrahur, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy policëve, për shkak të dyshimit se më 26 tetor kanë keqtrajtuar Millosh Subotiqin nga Mitrovica e Veriut.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, ata u rekomanduan që të suspendohen, pasi kjo është në interes të hetimeve që po kryen Inspektorati për këtë rast.
“Inspektorati Policor, në kuadër të kompetencave ligjore, do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me organin kompetent për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Suspendimi i policëve vjen pasi një qytetar i Mitrovicës së Veriut nga komuniteti serb, Millosh Subotiq, pretendoi se ishte rrahur pasi ishte arrestuar për “vandalizëm”.
Policia e Kosovës i ka mohuar pretendimet e Subotiqit dhe ka thënë se ai kishte qenë i dehur dhe kishte tentuar që të dëmtonte një pronë private.
Lidhur me këtë incident kanë reaguar disa organizata joqeveritare serbe nga veriu i Kosovës, të cilat kanë ndërprerë bashkëpunimin me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), derisa të japin një qëndrim për këtë rast.
Ky mision, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, tha më herët se kërkon hetim urgjent dhe efektiv të të gjitha akuzave për keqtrajtim të Millosh Subotiqit, dhe mirëpriti vendimin e Policisë së Kosovës për ta raportuar rastin në Inspektoratin Policor.
“Në këtë kontekst dhe në përputhje me mandatin e EULEX-it, roli ynë është t'i përcjellim hetimet e kryera nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe nga prokuroria”, tha EULEX-i.
Megjithatë, grupi i organizatave joqeveritare – Aktiv, Nisma e Re Sociale, Qendra për Veprime Afirmative Sociale, Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike dhe Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial – këmbëngul se Policia e Kosovës po përdor forcë të tepruar dhe u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike që "të merren me këtë problem".
Pjesëtarët e komunitetit serb janë ankuar për sjelljen e Policisë së Kosovës që një kohë.
Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar për REL-in në mesin e gushtit se në katër vjetët e fundit janë dorëzuar gjithsej 180 ankesa dhe informata anonime nga komunat në veri – të banuara me shumicë serbe – dhe se ka raste që pas shqyrtimit, janë përcjellë në procedurë disiplinore ose te prokurori.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës po ashtu ka thënë se janë në dijeni për ankesat e qytetarëve nga komuniteti serb sa i përket punës së policisë dhe se janë duke bashkëpunuar ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës.