Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), tha se ka identifikuar dy lokacione ku ishin vendosur kamera vëzhguese në veri të Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se kamerat, që sipas tij ishin të kamufluara, ishin vendosur për “monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri të vendit”.
“Këto kamera dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë”, tha Elshani.
Policia ka identifikuar dy persona “të cilët janë me interes që të intervistohen nga ana jonë”, theksoi Elshani.
Më vonë gjatë 27 qershorit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi për këtë rast, duke thënë se institucionet do t'i "luftojnë me çdo kusht mekanizmat e kontrollit dhe spiunazhit të Serbisë".
Sveçla tha se gjatë aksionit të sotëm, përveç kamerave janë gjetur edhe pajisje të tjera ndihmëse të komunikimit, " nga të cilat institucionet e Serbisë kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve, zyrtarëve të institucioneve tona të sigurisë dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë".
Edhe në të kaluarën, autoritetet e Kosovës kanë gjetur kamera vëzhguese në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Në maj, dy kamera të tilla u gjetën të vendosura një rrugë malore në kufirin lindor me Serbinë, që dyshohet se ishin vendosur për vëzhgimin e rrugës nga kontrabandistët e dyshuar.
Po ashtu, në fund të vitit të kaluar Policia e Kosovës hoqi qindra kamera në komunat me shumicë serbe në veri. Paraprakisht, kamera ishin hequr edhe në Kllokot, Partesh dhe Ranillug - komuna me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër.