Një kërcënim me bombë të shtunën në Kuvendin e Kosovës - që detyroi evakuimin e deputetëve dhe shtyrjen e seancës konstituive për në mbrëmje - ka qenë i rrejshëm, njoftoi prokurori që e hetoi rastin.
Duke folur për gazetarë pranë ndërtesës së Kuvendit, prokurori Zejnullah Gashi tha se kërcënimi erdhi nga një burrë përmes telefonit dhe se një hetim kibernetik për ketë është duke u zhvilluar.
“Kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket për rezultatet në vendin e ngjarjes”, tha ai.
Zejnullahu shtoi se kërcënimi u bë nga një “person anonim, me zë mashkulli në gjuhën angleze dhe me një theks që ne mendojmë se është nga një shtet jomiqësor”.
Më herët, Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se sot në orët e paradites kishte pranuar informatë “për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së”.
Pas marrjes së kërcënimit, autoritetet e sigurisë i larguan shpejt deputetët, mediat dhe të gjithë të pranishmit nga ndërtesa dhe oborri i Kuvendit, kur ata po bëheshin gati ta mbanin vazhdimin e radhës të seancës konstituive.
Në vendngjarje dolën prokuroria dhe hetuesit policorë, të cilët, së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, kryen kontrolle.
Më herët, Arben Loshi, zëvendës i sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, tha se policia kërkoi evakuimin e të gjithëve nga ndërtesa dhe oborri i Kuvendit, sepse “një person ka bërë një telefonatë në gjuhën anglez duke kërcënuar se një bombë e vendosur brenda ndërtesës së Kuvendit do të shpërthejë brenda 10 minutave”.
Ai tha se, pas alarmit për bombë, seanca që duhej të fillonte në orën 11:00, do të mbahet sonte në orën 20:00.
Reagimi i deputetëve
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se bëhet fjalë për një “kërcënim të qartë”, teksa u largua nga ndërtesa e Kuvendit paraditen e së shtunës.
I pyetur se si ka ardhur ky kërcënim, Konjufca tha se “më sa e di vetëm përmes telefonatës”.
Ndërkohë, nga pamjet televizive u pa mbërritja e një numri të oficerëve të Njësisë Speciale të Kosovës në ndërtesën e Kuvendit.
Oficerët u panë duke i kontrolluar me qen automjetet e parkuara në oborrin e Kuvendit.
“Na dhanë udhëzime të dalim [nga ndërtesa], sepse ka një kërcënim me gjasë. Nuk e dimë çka po ndodh dhe na kërkuan të dalim. Policia na tha për çështje të sigurisë”, tha Abelard Tahiri, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.
Vlora Çitaku, deputete e PDK-së, tha se sigurimi u kërkoi të largohen nga ndërtesa e Kuvendit, pa u dhënë sqarime.
“Siç duket ka pasur ndonjë kërcënim për ndonjë sulm apo diçka të ngjashme. Nuk kemi informatë të saktë, vetëm na thanë të largohemi”, tha Çitaku.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se ajo dhe deputetët e tjerë të kësaj partie ishin duke u futur në sallë për të marrë pjesë në seancë, kur iu kërkua të largohen nga ndërtesa e Kuvendit.
“Nuk kemi informacion. Ne ishim në zyrën e grupit parlamentar të përgatitur për të shkuar në seancë, por na thanë të dalim jashtë se paska kërcënim”, tha ajo.
Deputetët u mblodhën sot për ta vazhduar seancën konstituive të Kuvendit, në përpjekjen e tyre të 42-të për ta bërë Kuvendin që nga 15 prilli.
Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit po soset.
Gjykata Kushtetuese e nxori më 26 qershor një aktgjykim i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin.
Seanca e thirrur për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit po dështon, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Prej kohësh, partitë më të mëdha kanë kundërshtuar propozimin e Vetëvendosjes që Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit.
Ato e kanë cilësuar Haxhiun si “figurë përçarëse” dhe i kanë kërkuar Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, të vijë me një emër tjetër.
Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje nuk ka hequr dorë, duke thënë se propozimi i emrit të kryetarit është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve dhe se Haxhiu është kandidate meritore.